Së fundmi në Komisionin e Ekonomisë është ngritur debati mbi nivelin e taksimit të pagave të ulëta në vend. Pasi deputetët e shumicës kërkuan që pragu i pagës së patatueshme nga 30 mijë lekë që është aktualisht të bëhet 40 mijë lekë, Ministri i Financave dhe Ekonomisë erdhi me një propozim të ri.
Ministri kërkoi gjatë debatit rishikimin e nivelit të Tatimit mbi të Ardhurat Personale dhe propozoi që niveli i pagës së patatueshme të ulej në 10 mijë lekë ose të hiqej fare dhe te futej një sistem prej 1.5% TAP për të gjithë të punësuarit.
Sa janë të punësuarit që preken në rast se ky propozim miratohet?
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në qershor 2018 numri i të punësuarve me pagë bruto deri në 30 mijë lekë ishte 388 mijë e 364, apo 56% e totalit të të punësuarve, të cilët do të prekeshin drejtpërdrejtë nga miratimi i këtij propozimi.
41% e të punësuarve i përgjigjen fashës 30 mijë deri në 130 mijë lekë në muaj dhe 3% e të punësuarve marrin një pagë mbi 130 mijë lekë në muaj, apo rreth 18 mijë të punësuar.
Për periudhën e raportuar, sipas burimeve nga tatimet, paga mesatare bruto është 39,990 lekë, i cili korrespondon edhe me nivelin e pragut që deputetët e shumicës kanë kërkuar që të përjashtohet nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale.
Argumenti kryesor për rritjen e pragut të nivelit të pagës së patatueshme është mbrojtja e individëve me të ardhura të ulëta. Ndërkohë që në vitin që do të vijë qeveria planifikon që të rrisë pagat me një mesatare nga 7 deri në 20% sipas projekt buxhetit.
Mbajtja në burim e tatimit mbi të ardhurat
Të ardhurat nga marrëdhëniet e punësimit tatohen sipas tabelës së mëposhtme: Shkalla tatimore e tatimit mbi pagat:
Paga | Tatimi |
0 – 30,000 | 0 |
30,001-130,000 | 13% të shumës mbi 30,000 lek |
130,001 | 13,000 lek + 23% të shumës mbi 130,000 lek. |
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.