Në pamje të parë forcimi i lekut ndaj dollarit amerikan duket i çuditshëm, sidomos po të marrim parasysh deficitin e konsiderueshëm tregtar. Megjithatë janë disa zhvillime, që e kanë ndikuar në një kah kursin lek/dollar dhe lek/euro dhe kanë çuar në forcimin e lekut.Prirjet afatgjataKa një aspekt të prirjes së forcimit të lekut që ka lidhje me politikat e matura makroekonomike, të cilat kanë bërë që besimi i përgjithshëm te leku të rritet gjatë viteve të fundit dhe për këtë nuk pritet të ketë ndonjë fund. 1) Ministria e Financave ka pasur sukses në zvogëlimin e deficitit në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Bruto (PPB) gjatë viteve të fundit, ndërsa Banka e Shqipërisë e ka administruar me shumë sukses likuiditetin (paranë) dhe ka ndjekur politika monetare që kanë siguruar stabilitetin e çmimeve në Shqipëri. Si rrjedhojë, tërheqja e shqiptarëve për t i mbajtur kursimet në lekë ka ardhur në rritje, në vend që t i mbajnë në dollarë apo euro, gjë që ka rritur kërkesën dhe çmimin e lekut në krahasim me valutat e tjera. 2) Ecuria e dollarit – Bilancet e përgjithshme makroekonomike veçanërisht në ekonominë amerikane, sidomos bilanci fiskal dhe ai tregtar, janë përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme 3-4 vitet e fundit, duke rezultuar në një dobësim të dollarit amerikan kundrejt pothuaj çdo monedhe tjetër, përfshirë këtu edhe lekun. Efektet sezonaleEfektet që kanë ndikuar në forcimin e mëtejshëm të lekut, janë të përbëra nga një numër faktorësh sezonalë, por në të njëjtën kohë dhe të përkohshëm. Sidoqoftë nga fillimi i vjeshtës, efektet në kurs të shkaktuara nga këta faktorë duhet të pakësohen dhe deri në një farë mase të ndërrojnë kah. 1) Zvogëlimi i kërkesës për importe si pasojë e rritjes së prodhimit vendas. Në një situatë kur prodhimi vendas i energjisë elektrike është rritur si pasojë e reformave të suksesshme dhe motit të favorshëm me rreshje, ne kemi parë edhe gjatë viteve të shkuara se në muajt e verës, prodhimi bujqësor vendas rritet, duke i lejuar shqiptarët që t i zëvendësojnë prodhimet e importit me ato vendase. Më pak importe do të thotë se ka më pak kërkesë për valuta të huaja, çka e ul vlerën e tyre në raport me lekun.2) Flukset më të larta e rrisin ofertën e valutës. Gjatë muajve të fundit fluksi i dërgesave të emigrantëve ka qenë shumë i lartë, për shkak të emigrantëve që vizitojnë familjet e tyre dhe që sjellin euro apo dollarë me vete. Për më tepër, shqiptarët jashtë kanë marrë rroga më të larta, sidomos për shkak të përgatitjes së Lojërave Olimpike në Athinë dhe si rrjedhojë kanë qenë në gjendje të sjellin në Shqipëri më shumë euro. Për më tepër, akoma më shumë valutë ka hyrë në tregun shqiptar si rezultat i të ardhurave nga privatizimi dhe numri i madh i turistëve verorë, gjë që ka ndikuar edhe më shumë në prirjen e lekut për t u forcuar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.