inlanda ka sot një nga sistemet më të mira arsimore në botë. Parimi kryesor i saj është barazia në edukim. Të gjithë njerëzit duhet të kenë akses të barabartë në edukimin cilësor dhe trajnimin. Të njëjtat mundësi edukimi duhet të jenë të disponueshme për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga origjina e tyre etnike, mosha, pasuria, apo zona ku jetojnë.
Edukimi është falas në të gjitha nivelet, nga paraarsimi në edukimin e lartë. Në arsimin fillor librat, ushqimi dhe transporti për ata që jetojnë larg janë falas. Në tetëvjeçare dhe gjimnaz, librat duhet të blihen nga vetë nxënësit, ndërsa një vakt ushqimi është falas.
Transformimi i arsimit
Transformimi i sistemit arsimor të finlandezëve filloi rreth 40 vjet më parë si një prej nxitësve kryesorë të planit të rimëkëmbjes ekonomike të vendit. Mësuesit finlandezë nuk ishin në dijeni se sistemi arsimor ishte një prej më të suksesshmëve në botë, deri në vitin 2000 kur u zhvillua Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA), një testim standard në më shumë se 40 shtete të botë në grupmoshën 15 vjeç, i cili zbuloi se të rinjtë finlandezë ishin lexuesit më të mirë të rinj në të gjithë botën.
Nuk ekzistojnë teste standarde në Finlandë, përveç një provimi që bëhet në përfundim të vitit të fundit të shkollës së mesme. Asnjë krahasim nuk bëhet në Finlandë as ndërmjet nxënësve, por as ndërmjet shkollave apo rajoneve. Shkollat e Finlandës financohen publikisht. Personat në agjencitë qeveritare që merren me drejtimin e tyre, duke filluar nga zyrtarët kombëtarë tek autoritetet lokale, janë mësues dhe jo njerëz biznesi, liderë ushtarakë apo politikanë të suksesshëm.
Çdo shkollë përbëhet nga një staf shumë i specializuar mësuesish, prandaj nxënësit, pavarësisht nëse jetojnë në fshat apo në qytet, ata do të marrin të njëjtin arsim cilësor. Mësuesit në Finlandë shpenzojnë më pak orë në shkollë në krahasim me mësuesit amerikanë. Mësuesit finlandezë e përdorin kohën shtesë për të ndërtuar kurrikula dhe për të vlerësuar nxënësit e tyre. Edhe për nxënësit është e njëjta gjë. Ata shpenzojnë shumë më shumë kohë duke luajtur në ambientet sportive të shkollës sesa në klasat e tyre, madje edhe gjatë ditëve të ftohta të dimrit.
Detyrat e shtëpisë që ata kanë, janë minimale dhe arsimi i detyrueshëm nuk fillon deri në moshën 7-vjeçare. Është e padëgjuar në ditët e sotme dhe tingëllon absurd që një fëmijë të jetë i uritur apo i pastrehë në Finlandë. Ky shtet ofron leje lindje 3-vjeçare dhe kujdes ditor të subvencionuar për prindërit dhe parashkollorët 5-vjeçarë.
Përveç kësaj, shteti subvencionon prindërit, duke i paguar ata rreth 150 euro në muaj për çdo fëmijë derisa ata të mbushin moshën 17 vjeç. Nëntëdhjetë e shtatë për qind e 6-vjeçarëve ndjekin shkollën parashkollore, ku fëmijët fillojnë të mësojnë bazat e edukimit arsimor. Shkollat ofrojnë ushqim, kujdes mjekësor, këshillim dhe shërbim taksi për të gjithë ata që kanë nevojë.
Shërbimi shëndetësor për studentët është pa pagesë. Vetëm në klasën e gjashtë fëmijët mund t’i nënshtrohen një provimi dhe vetëm me aprovimin e mësuesve. Edhe në rast se ndodh një gjë e tillë, rezultatet e provimit nuk publikohen. Mësuesit finlandezë e kanë pasur dhe e kanë shumë të vështirë të kuptojnë praktikën e ndjekur nga Shtetet e Bashkuara në drejtim të zhvillimit të testeve standarde.
Por shkollat e Finlandës në të kaluarën nuk kanë qenë ato të ditëve të sotme. Deri në fund të viteve 1960, finlandezët ishin akoma duke u shkëputur nga ndikimi sovjetik. Shumica e fëmijëve e braktisnin shkollën publike pas gjashtë vitesh. (Pjesa tjetër shkonin në shkolla private të cilat kishin tendencë që të ishin më pak rigoroze.) Vetëm të privilegjuarit ose fatlumët arritën të merrnin një arsim cilësor gjatë asaj periudhe.
Por e gjithë kjo situatë dhe ky peizazh i zymtë i asaj kohe ndryshoi pikërisht në momentin kur Finlanda filloi të përpiqej që të ndryshonte të kaluarën e saj të përgjakshme në një të ardhme të unifikuar. Për qindra vjet, ky popull kishte qenë i lidhur mes dy fuqive rivale, monarkisë suedeze në Perëndim dhe carit rus në Lindje.
Në vitin 1963, Parlamenti finlandez mori vendimin e guximshëm për të zgjedhur pikërisht reformimin e arsimit publik, duke e konsideruar atë si një prej nxitësve më të mirë të rimëkëmbjes së ekonomisë.
Një prej ideve kryesore në këtë drejtim ishte se çdo fëmijë meriton të ketë një shkollë publike shumë të mirë. Nëse ne duam të bëhemi konkurrues, atëherë ne duhet t’i edukojmë të gjithë fëmijët tanë njësoj. Përveç finlandishtes dhe suedishtes (gjuha e dytë zyrtare e vendit), fëmijëve iu caktua edhe mësimi i një gjuhe të tretë (anglishtja është një ndër më të preferuarat) dhe që zakonisht fillon të mësohet në moshën 9-vjeçare.
Burimet financiare në sistemin edukativ finlandez u shpërndanë në mënyrë të barabartë në shkollat e niveleve të ndryshme. Kështu, për shembull, nëse kishte përmirësime në shkollat e arsimit fillor, do të kishte edhe në atë të arsimit të mesëm dhe të lartë.
Vendimi i dytë më i rëndësishëm erdhi në vitin 1979, kur reformatorët e sistemit arsimor kërkuan që çdo mësues të kryente studimet master në teori dhe në praktikë në një prej tetë universiteteve shtetërore, pa harrur edhe faktin që të gjitha shpenzimet e tyre do të mbuloheshin nga shteti. Që nga ajo kohë, mësimdhënësve u është dhënë status i barabartë me mjekët dhe avokatët. Numri i studentëve që kërkonin të ndiqnin studimet e larta për mësuesi u rrit shumë dhe jo sepse një profesion i tillë ofron një pagesë të lartë, por sepse autonomia dhe respekti ndaj këtij profesioni e bëjnë atë shumë tërheqës.
Kontrolli mbi politikat u zhvendos në këshillat e qyteteve. Kurrikula kombëtare u filtrua duke u bërë më e saktë. Vëzhgimi dhe klasifikimi i fëmijëve në të ashtuquajturat grupe me aftësi të caktuara u eliminuan. Të gjithë fëmijët, si ata që ishin më të zgjuar dhe si ata që ishin më pak, do të studionin dhe do të ndiqnin të njëjtat klasa. Por ndihma që i jepej mësuesve të shkollave të ndryshme për të bërë të mundur që të gjithë nxënësit të merrnin vëmendjen dhe kujdesin e duhur, ishte shumë e madhe.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.