Pse kaq shumë “burra të paaftë” në role drejtuese?

03/04/2019 4:50 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
Foto: Getty Images

Ju me siguri nuk keni pasur vetëm një shef mashkull të paaftë – gjasat janë që ju të keni pasur disa të tillë. Ndërkohë, në çdo departament është një grua që punon shumë, me kokën ulur, e cila nuk mund të promovohet në detyrë.

Por në vend të analizimit të arsyeve se pse gratë kanë vështirësi të ecin përpara profesionalisht, Tomas Chamorro-Premuzic, profesor i psikologjisë së biznesit në University of College London dhe Columbia University – analizon se pse kaq shumë burra, ngrihen në detyrë në pozicione drejtuese, si të ishte një e drejtë e tyre që në lindje.

Në librin e tij të ri Why Do So Many Incompetent Men Become Leaders? (And How to Fix It), ai argumenton se gratë në pozicione drejtuese janë kryesisht më të afta se burrat, shpjegon mitin e karizmës dhe se duhet të ketë më shumë pengesa profesionale për burrat, dhe jo më pak. Kjo është intervista e Chamorro-Premuzic për “Ladders”, për disa nga çështjet kryesore të librit të tij.

-Ju shkruani në libër se mënyra se si i shohim drejtuesit ka disa të meta…

“[Ne jetojmë] në një epokë kur udhëheqja është mjaft komplekse, abstrakte, dhe e vështirë për t’u gjykuar nga një punonjës apo votues”. Ne përqendrohemi tek ajo që mund të shohim dhe ajo çka mund të shohim është besimi më shumë se sa aftësia. Karizma më shumë se sa përulësia. Tek të qenët narcist se sa tek integriteti. Në gjithë këto tri cilësi, meshkujt e kapërcejnë indeksin krahasuar me femrat. Këto nuk janë ndryshime thelbësore, por gjithsesi ndikojnë. Zakonisht ne ngatërrojmë cilësitë e një burri me potencialin e leadership-it dhe për rrjedhojë, burrat shpërblehen për këto gjëra që në të vërtetë nuk kontribuojnë në efikasitetin e leadership-it, por megjithatë na joshin.

Këto cilësi i joshin njerëzit, dhe për këtë arsye burrat promovohen në poste drejtuese më shpejt se gratë, më shpesh se gratë. Kur gratë i zotërojnë këto karakteristika, gjë që nuk është shumë e shpeshtë, në realitet ne nuk i vlerësojmë ato. Ne nuk na pëlqejnë gratë që shfaqin shumë besim, të cilat janë karizmatike.

-Në librin tuaj ju shkruani se mungojnë pengesat profesionale për burrat e paaftë. Pse ndodh kjo?

Në të vërtetë, duhet të ekzistojnë një sërë pengesash të tjera – të cilat nuk ekzistojnë – për burrat. Këto kanë të bëjnë me sjellje të tipit se si marrësh meritën për arritjet e të tjerëve, apo t’ua hedhësh fajin të tjerëve për një gabim që e keni bërë ju. Kur pjesa më e madhe e vendimmarrësve janë meshkuj, është e natyrshme që ata të parapëlqejnë të bëjnë negociata me meshkuj dhe të punësojnë meshkuj të cilët kanë cilësi të ngjashme. Ju pëlqejnë ata që ju ngjajnë pasi është një mënyrë sociale e pranueshme për të dashur veten.
Gjithçka luan një rol të caktuar, por historikisht njerëzit nuk e kanë theksuar mjaftueshëm se sa këto karakteristika të personalitetit ndikojnë në zgjedhjet tona si drejtues, duke mos drejtuar me efikasitet.

-Ju shkruani rreth mitit të karizmës te liderët. Pse i japim kaq shumë rëndësi karizmës? Dhe pse e lidhim atë në mënyrë ekuivalente me leadership-in?

Kjo sepse jemi të paaftë të kuptojmë apo të gjykojmë mirë aftësitë. Karizma është si fuqia e markës, kur ju nuk dini shumë rreth një produkti – mund të jetë një çantë, një restorant, muzikë, një film – ju i jepni rëndësi markës. “I besoj kësaj pasi është një markë e njohur”.
Karizma është një cilësi që ne ua atribuojmë të tjerëve. Pjesa më e madhe e faktorëve që parashikojnë karizmën, nëse personat shihen si karizmatikë, nuk kanë asgjë që lidhet me potencialin e leadership-it. Këto kanë të bëjnë me faktin nëse njerëzit janë tërheqës, nëse janë të fuqishëm, nëse kanë disa aftësi sociale sipërfaqësore si kontakti viziv dhe përdorimi i duhur i gjuhës së trupit, pra nëse kanë prezencë.

Sot pjesa më e madhe e njerëzve e zgjedh një president në bazë të asaj se me cilin prej kandidatëve do të parapëlqente të pinte një birrë. Alternativa është ajo që të ulemi, të punojmë shumë dhe të përpiqemi të mendojmë se cili ka programin më të mirë, cili mund të drejtojë të tjerët, cili është më i informuar, cilat janë politikat që propozon dhe gjithçka që është shumë komplekse.

-Në librin tuaj ju shkruani se në postet drejtuese, gratë janë më të afta se burrat…

Të dhënat vijnë nga studime që analizojnë se si drejtuesit ndikojnë tek ekipet e tyre dhe në veçanti se çfarë ndikimi kanë liderë të ndryshëm tek ecuria e punonjësve të tyre. Një lider që ndihmon skuadrën apo ndjekësit e tij është një lider që kërkon ndryshimin. Është një stil udhëheqje që mbështetet jo tek pushteti dhe drejtimi autokratik, por në krijimin e një marrëdhënie me ndjekësit, nëse ata ju besojnë ju dhe nëse ju jeni i aftë që t’i bindni t’ju ndjekin në mënyrë që të ndërthurin vlerat dhe qëndrimet e tyre me tuajat. Në të shumtën e rasteve, ky stil shfaqet më shumë te gratë.

Në të kundërt, burrat kanë tendencë të shfaqin më shumë mungesa në udhëheqje, gjë që do të thotë që në mënyrë thelbësore nuk dinë të udhëheqin. Ata i lënë punonjësit pa një drejtim. Studime të ndryshme tregojnë se ekipet e punës që drejtohen nga një grua janë më të angazhuara, pra më entuziaste. Morali është më i lartë nëse ekipi drejtohet nga një grua. Po ashtu, duke u mbështetur edhe në tregues të performancës si të ardhurat, fitimet, edhe në këtë drejtim, gratë ua kalojnë burrave.

-A shihni ndonjë zgjidhje për drejtuesit, qofshin ata meshkuj apo femra, në të ardhmen?

Së pari, mendoj se është e rëndësishme që të kuptojmë që, pavarësisht se gjinia lidhet me gjithë këto gjëra, çështja në thelb nuk lidhet me gjininë, por me paaftësinë tonë për të përzgjedhur talentin apo potencialin. Në fakt është shumë më e thjeshtë të zgjidhni njerëzit e duhur dhe të kërkoni për cilësi që i bëjnë njerëzit drejtues më të mirë.

Mendoj se sfida më e madhe për organizatat është se duhet të pranojnë, së pari, se ato nuk i zbatojnë parimet e meritokracisë siç pretendojnë se e bëjnë këtë gjë, pasi kultura nepotike dhe toksike e pengon meritokracinë. Dhe së dyti ju nuk mund të veproni në mënyrë spontane. Ju nuk mund t’i besoni thjesht instinktit tuaj, ta intervistoni atë person dhe më pas ta punësoni. Dhe më pas të shpenzoni para për një trajnim në mënyrë të ndërgjegjshme.

*Sheila Mcclear
Burimi: The Ladders

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of