Sipas një publikimi të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, danezët janë cilësuar si njerëzit më të lumtur në botë. Vetëm disa ditë qëndrimi në Kopenhagën, do t’ju bëjnë ta kuptoni më së miri këtë shprehje.
Danezët janë njerëzit më të lumtur në botë
Sipas raportit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, danezët janë cilësuar si njerëzit më të lumtur në botë. Me një fakt të tillë bien dakord shumë vetë dhe një ndjenjë e lehtë xhelozie është e pranishme te kushdo, sidomos nëse qëndroni disa ditë në Kopenhagën.
Makinat përdoren shumë rrallë në këtë qytet, mjeti i transportit më i përdorur këtu është biçikleta. Hapësirat e gjelbra publike zënë një sipërfaqe gjigante në këtë qytet. Njerëzit vazhdojnë ta shijojnë kënaqësinë e të notuarit edhe gjatë javëve të para të vjeshtës. Mbrëmje në restorante ekskluzive ku kulinaria është e një niveli shumë të lartë.
Xhirot me varkë, një përvojë që nuk duhet humbur
Xhirot me varkë në liqene të ndryshme dhe sidomos përgjatë portit janë një prezantim tjetër mbresëlënës me këtë qytet. Disa prej ndërtesave më të reja bashkëkohore janë ndërtuar pikërisht në këtë zonë. Këtu ndodhet “Opera Mbretërore” që mban firmën e arkitektit Henning Larse. Pak më tutje ndodhet “Teatri Kombëtar” dhe “Libraria Mbretërore” e njohur ndryshe nga vendasit edhe si “Diamanti i zi”. Një diamant tjetër i këtij qyteti që nuk duhet humbur është edhe “Qendra Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor”, e cila ndodhet në ishullin Papioren. Kryevepra të artistëve të tillë si Yoko Ono dhe Bruce Nauman, instalacioni i fotografit të mirënjohur Raganar Kjartansson (nga Islanda) janë ekspozuar në këtë qendër arti, e cila do të qëndrojë e hapur edhe për 18 muaj të tjerë dhe pastaj do të prishet për t’u shndërruar në një bllok rezidencial pallatesh.
Qytet, ku gjithkush mund të gjejë veten
Ju mund të vizitoni zona mjaft të njohura siç janë lagjet në qendër të Kopenhagës.
Nga lagjja e të rinjve, Vestebro, në lagjen e multikuturave në Ostebro, nga antikiteti dhe mrekullia e kopshteve romatike dhe shtëpive të shekullit të 18 dhe 19 në Frederiksberg në sharmin e modernizmit të Christianshavn, gjithkush mund të gjejë veten në këtë qytet.
Kulinaria e këtij qyteti, një perlë më vete
Nese mendoni për kulinarinë në Kopenhagën, njeriu i parë që ju vjen në mend është Rene Redzepi. Së bashku me Claus Meyer, ai krijoi kuzhinën e re nordike, duke e shndërruar linjën e restoranteve “Noma” në një prej destinacioneve më të frekuentuara.
Kopenhagën nuk mund të mos përmendej edhe për hotdog-ët e vet të famshëm, që cilësohen si më të mirët në të gjithë Europën.
Qytet i një arkitekture të veçantë
Përpara se Kopenhagën të bëhej i njohur për kulinarinë, ai vizitohej nga shumë persona nga vende të ndryshme të botës për të parë arkitekturën e veçantë të këtij qyteti. Këtu mund të përmendim Arne Jacobsen, Jorn Utzon dhe Verner Panton të cilët nuk iu kushtuan vetëm projektimit të ndërtesave të larta, të Operave por iu përkushtuan edhe krijimit të mobilieve shumë të veçanta për ambientet e brendshme të shtëpive. Dizajnet e mobilieve nga Danimarka gjithmonë shoqëroheshin me togfjalëshin “cilësi e lartë”.
Muezu i Artit Bashkëkohor në Luiziana
Udhëtimi më tren për në Hulebæk për në veri të Kopenhagës zgjat vetëm një orë e gjysmë. Këtu ndodhet Luiziana, një prej Muzeve më të njohur të Artit Bashkëkohor. Çdo gjë këtu është mbresëlënëse duke filluar nga koleksionet pothuasje të plotë të artistëve të tillë si Pikaso, Alberto Giacometti, Robert Rauschen-berg tek Andy Warhol dhe Anselm Kiefer.