Kultura e kompanisë tenton të dominojë bisedën kur bëhet fjalë për motivimin e punonjësve, por “klima” ndikon në mënyrë direkte në angazhim – pjesërisht sepse është më e lehtë të vlerësohet dhe ndryshohet.
Studime të bazuara në punën e David McClelland* në 60 vitet e shkuara kanë arritur në përfundimin se kur liderët e fokusojnë vëmendjen e tyre në këto gjashtë elemente të klimës organizative – motivimi, morali dhe produktiviteti rriten.
6 elemente të klimës organizative…
1.Komformiteti – Kjo është “burokracia” e një kompanie apo proceset e politikat që nuk duket se kanë një qëllim të kuptuar nga punonjësit.
Pa mendoni: raportin javor që duhet t’i nisni drejtuesit tuaj – i cili duket se nuk shkon asgjëkundi. Në një klimë ideale, konformiteti është i ulët: Menaxherët duhet të fokusohen në heqjen e pengesave të panevojshme ndaj produktivitetit të punonjësve dhe se nëse një detyrë është e rëndësishme, është e nevojshme t’u shpjegohet motivi se pse duhet bërë.
2.Pronësia – Kur një drejtues redukton nënshtrimin duke eliminuar aktivitetet e padobishme, punonjësit do të ndihen më të fuqishëm dhe ndjesia e pronësisë (zotërimit) do të rritet. Kjo mund të arrihet shumë thjeshtë për shembull t’u shpjegoni punonjësve tuaj se si detyra të caktuara ndihmojnë në rolin strategjik të ekipit në tërësi.
3.Standardet – A ndiejnë punonjësit tuaj se po punojnë drejt diçkaje, apo punojnë përreth tyre? Për të vënë standarde të larta, drejtuesit duhet të sigurohen që objektivat jo vetëm që duhet të komunikohen në mënyrë të qartë, por duhet të jenë një sfidë e arsyeshme për punonjësit.
Ju duhet të vendosni objektiva që janë të arsyeshëm – nga kjo varet dështimi ose suksesi juaj.
4.Vlerësimi – Kur pjesa më e madhe e njerëzve dëgjojnë fjalët “shpërblime dhe vlerësim” ata mendojnë për rritje në detyrë dhe bonuse. E ndërkohë që kjo sigurisht është një mënyrë për të njohur suksesin e një pune, paratë nuk i motivojnë njerëzit.
Në fakt ky element i referohet një ekuilibri të shëndetshëm të përgjigjeve pozitive apo negative. Duhet të përpiqeni të komunikoni rregullisht kur punonjësit janë duke bërë një punë të mirë dhe atëherë kur mund të japin edhe më shumë.
5.Qartësia – A kanë pjesëtarët e ekipit tuaj qartësi rreth rolit të tyre dhe mundësisë për rritje në detyrë? A e kuptojnë ata se çfarë duhet të bëjnë? Mundë të duket e thjeshtë, por qartësia është elementi më i vështirë për t’u arritur. Nëse jeni duke luftuar me këtë element, flisni me drejtuesit tuaj në rishikimin e përshkrimit të punës.
6.Fryma e skuadrës – E fundit por jo më pak e rëndësishme. Fryma e ekipit tuaj është e rëndësishme për të kaluar vështirësitë që do të ndeshni gjatë rrugës suaj si kompani. Dhe kjo është relativisht e thjeshtë për t’u krijuar. Mjaft që të njihni anëtarët e ekipit tuaj si njerëz. Ndërkohë që ripërcaktimi i kulturës së punës kërkon reflektime dhe përmbysje të mëdha.
Ripërcaktimi dhe përmirësimi i klimës së punës është një gjë që duhet ta bëjë çdo lider kompanie. Dhe kjo përbëhet nga gjëra të vogla, si për shembull t’u shpjegosh atyre se cili është qëllimi i punës apo t’u jini mirënjohës si për shembull: “Keni bërë një punë të mirë, herën tjetër mund të përmirësoheni edhe më shumë”.
*David McClelland – psikolog amerikan, i njohur për punën e tij mbi motivimin në Teorinë e Nevojës
——-
*Jeff Miller, drejtues i lartë i Talent Management Cornerstone OnDemand
Burimi: INC