Pse sistemi energjetik shqiptar është gjithnjë në “Alert”

14/07/2017 11:06 PM 0 komente

KOMENT REDAKSIONAL / Të lidhësh vështirësitë që ka sot vendi për të garantuar energji të vetëmjaftueshme pa vënë në rrezik ekonominë dhe financat publike, vetëm me thatësirën ekstreme të këtij viti, është miopi.
Rreth katër vite me parë, kur qeveria nisi aksionin e “dhunshëm” për të mbledhur borxhet shumë vjeçare të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) Revista Monitor në një editorial të saj do të ngrinte pyetjen: Por kur OSHEE të mos ketë në krah qeverinë, a do të mundet që të dëshmojë se është ringritur dhe funksionon si kompani rentabël brenda një sistemi të tërë energjie eficent? Tani është koha dhe janë argumentet për të dhënë një përgjigje:

Mbledhja e borxheve me forcë ligjore për të ndëshkuar çdokënd që vjedh energjinë dha rezultate, duke i përmirësuar ndjeshëm financat aq sa kompanitë patën mundësi të planifikonin investime të mëdha dhe të shkëputeshin nga nevoja për mbështetje buxhetore.

Por këtë vit, pas katër vitesh që qeveria e quajti reformë, rezulton që OSHEE nuk mund të garantojë me fondet e saj më shumë se dy muaj energjie, dhe nëse do ta bëjë këtë, paratë do t’i gjejë duke i hequr nga plani i investimeve. Energji mund të kemi, por sistemi, siç duket, po krijon kosto. Sikundër tha, gjatë javës që kaloi guvernatori i bankës qendrore, energjia po mbetet një risk i lartë që do të ngadalësojë ekonominë dhe brenda saj sektorët e prodhimit do të jenë më të dëmtuarit, së bashku me financat publike.

Që pas vitit 2008 kur vendi ra në një kolaps energjie të përsëritur, u bënë disa hapa cilësorë strategjikë për të rritur kapacitetet prodhuese të energjisë nga uji. Sot janë në funksion dy hidrocentrale të mëdha si Banja dhe Ashta dhe disa dhjetëra HEC-e të vegël lokal. Por këto investime po rezultojnë të pamjaftueshme për të përballur nevojat, jo nga pikëpamja e kërkesë-ofertës, pasi tregu është i hapur dhe energjia e munguar blihet nga importi, por nga aftësia për të krijuar një sistem energjie që nuk vepron në kushte krize, që arrin të krijojë të ardhura aq sa të jetë eficient sa të sigurojë përveçse shpenzime korente edhe investime që përmirësojnë rrjetin.

Fakti që sot për të garantuar furnizimin me energji të popullatës dhe biznesit pa ndërprerje, duhet nevoja e një mbështetjeje buxhetore, tregon se ky problem nuk është zgjidhur. Nga ana tjetër ka pasur dy tregues të tjerë që e kanë bërë më të vështirë zgjidhjen. I pari, konsumi i energjisë së prodhuar nga uji, në Shqipëri vazhdon të mbetet burimi kryesor dhe kërkesa për këtë produkt nuk është ulur por përkundrazi është rritur, dhe se në verë konsumi i energjisë elektrike po barazohet me dimrin, çka nuk i krijon mundësi për të krijuar rezerva të mjaftueshme në dimër kur konsumi është më i lartë. Këto dy tregues të konfirmuara dhe nga ERE, po tregojnë se sistemi energjetik shqiptar është gjithnjë në “Alert”.

Pse ndodhi kjo? Së pari, sepse u mendua politikisht dhe popullata u ngop me lugën bush duke reklamuar se me mbledhjen e borxheve u bë reformë, kur reforma është një tjetër gjë dhe mbledhja e borxheve veçse një aspekt teknik e ligjor. Tani që thatësia u bë më dominuese, u thanë edhe argumentet për reformë.

Së dyti, zgjidhja e krizës u përqendrua tek oferta pra tek burimet që japin energji. Por një reformë e plotë kërkon të rishikosh edhe kërkesën. Nuk ka ende sot asnjë platformë politike për të mbështetur fuqishëm, por vetëm disa lëvizje të lehta për ta orientuar investimet dhe kërkesën e popullatës drejt burimeve të tjera energjike. Reklamohet sot përdorimi i paneleve diellorë, përdorimi i energjisë nga Biomasa, etj. Ka edhe disa projekte të vola për ta demonstruar këtë, por nuk është ndërmarrë asnjë politikë serioze dhe nuk ka asnjë strategji me objektiva të qartë që këto propozime të reja të bëhen atraktive për popullatën që t’i shikojë këto alternativa si më të leverdishme se energjia që marrin sot nga HEC-et.

Së treti, tarifat. Për shkak të paaftësisë për të menaxhuar klientin deri në çdo qelizë, u aplikua një tarifë unike, e cila stimuloi konsumatorët e mëdhenj dhe rëndoi ata me pak të ardhura. Por ndërkohë nuk mundi të ndryshojë sjelljen konsumatore sikundër e kanë shumica e vendeve të përparuara në këtë aspekt që tarifon energjinë edhe në varësi të fashave orare kur më e lirë është energjia gjatë natës dhe më e shtrenjtë në momentet e pikut. Ky tarifim me fasha do të ndryshonte sjelljen e konsumatorit jo vetëm duke e bërë atë më kursimtar por edhe më rentablël.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz