Ka pak të vërteta të pranuara në debatin për daljen e Britanisë nga BE-ja, një prej të cilave është dhe, nëse Britania dështon në arritjen e një marrëveshje me Bashkimin Europian pas Brexit, do t’i duhet të mbështetet në variantin e OBT-së. Kjo do të thotë se do t’i duhet të tregtojë e vetme nën rregullat e vendosura nga Organizata Botërore e Tregtisë, e cila vendos për çështje të rëndësishme si kuotat dhe tarifat. Gjithsesi në muajt e fundit, ekonomistët mbi tregtinë ndërkombëtare kanë dalë në përfundimin se mbështetja përsëri tek OBT-ja mund të jetë shumë më e vështirë nga se mendohet. Pse? The Economist shpjegon…
Britania aktualisht është një anëtar i OBT-së. Gjithsesi, negocimi i marrëveshjeve tregtare dhe mënyrës se si do të operojë në tregjet ndërkombëtare është kryer nëpërmjet BE-së. Për të qenë një anëtar plotësisht i pavarur, Britania duhet të ketë programin e saj dhe OBT-ja do të duhet të vendosë mbi tarifat dhe kuotat që do të aplikohen mbi vendet e tjera. Në teori, do të jetë shumë e vështirë për Britaninë që të negociojë për programin e saj të veçantë tregtar. Në të ashtuquajturin “ratifikim”, qeverisë britanike thjesht do t’i duhet të fshijë në krye të faqes “Bashkim Europian” dhe të vendosë “Mbretëri e Bashkuar”. Por, sigurisht do të jetë më e vështirë se të bësh thjesht kaq. Imagjinoni nëse Britania do të dojë të vendosë tarifa për të rritur mbështetjen ndaj fermerëve duke rritur tarifat mbi produktet bujqësore. Një përpjekje e tillë do të kërkojë një modifikim ambicioz të programit të Britanisë në OBT, që do të kërkojë negociatat më të gjata.
Rruga më e mundshme është që Britania të mbajë me përpikëri programin si kur ishte pjesë e BE-së, përfshirë dhe mbajtjen e tarifave të jashtme të përbashkëta, që është e aplikuar në mënyrë të njëjtë nga vendet anëtare për importet e palëve të treta. Kjo do të shmangë debatet e kota diplomatike, por një qeveri e pas daljes me siguri që do të jetë në siklet që të përdorë angazhimet e miratuara të BE-së. Ky nuk do të jetë problemi i vetëm. Marrëveshja aktuale e tregtisë së OBT-së merr në konsideratë se 28 anëtarët e BE-së janë një bllok koherent ekonomik. Tregtia midis vendeve anëtare është pothuajse e lirë. Shumëkombëshet lëvizin shpesh brenda vendeve të ndryshme anëtare. Nëse Britania shkëputet nga BE-ja dhe të mbajë tarifat për jashtë të përbashkëta, atëherë pjesët lëvizëse të një kompanie do të përballeshin me tarifa çdo herë që do të kalonin kufirin. Vendet, prodhuesit e të cilëve do të goditeshin nga ky zhvillim, do të preferonin t’ia bënin të vështirë negociatorëve të Britanisë.
OBT-ja do t’i japë formë negociatave të Brexit. Qeveria është e dëshpëruar që të sigurojë Britaninë se eksportuesit e mëdhenj nuk do të vuajnë prej daljes së Britanisë nga BE-ja. Në mënyrë të veçantë ka siguruar prodhuesin e makinave Nissan. Por rregullat e OBT-së mund t’i bëjnë marrëveshjet pjesore të vështira. Nëse Britania do të bjerë dakord me një marrëveshje dypalëshe me BE-në për të mos aplikuar tarifa mbi makinat, vendi i preferuar i OBT-së mund ta detyrojë që të ofrojë akses të lirë nga tarifat edhe për vendet e tjera gjithashtu. Kanalizimi i parave qeveritare për të rritur eksportet është gjithashtu diçka që OBT-ja nuk do të aprovojë. Varianti i OBT-së mund të duket si një rrugë e lehtë për daljen e vendit nga BE-ja, mirëpo kjo rrugë është plot me pengesa.