Është diçka e rrallë për dikë që fiton më shumë se 40% të votave të ndihet i mundur. Por pas zgjedhjeve të përgjithshme të Turqisë më 7 qershor, ky është fati i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) dhe, edhe më shumë, e Rexhep Tajip Erdogan, themeluesit karizmatik dhe autokratik të saj. Si kreu i shtetit, zoti Erdogan supozohet të qëndrojë mbi politikat partiake, por ai bëri paturpësisht fushatë për një super-mazhorancë, AK, që mund të ndryshojë Kushtetutën për të krijuar një president të fortë ekzekutiv (p.sh., veten). Verdikti? Mbështetja e AK ra nga pothuajse 50% në 2011 në 40.9% dhe partia humbi shumicën në Parlament.
Duke reduktuar pjesën e votës së AK-së dhe, në veçanti, duke e pozicionuar partinë pro-kurde mbi pragun 10% për vende parlamentare, turqit kanë hedhur poshtë në mënyrë të qartë ambiciet e Erdogan për një Presidencë të fortë. Shumica e tyre tani nuk e pëlqejnë retorikën sektare suni, intolerancën e opozitës dhe ‘erën’ e rëndë të korrupsionit që, pas 12 vjetësh në detyrë, kanë karakterizuar sundimin e z. Erdogan.
Edhe pse rezultati i zgjedhjeve ka krijuar pasiguri të madhe në formimin e një qeverie të re, ajo është ende e mirëpritur. Reformat e hershme të z. Erdogan ishin relativisht liberale. Sipas tij, ekonomia deri kohët e fundit ka funksionuar mirë. Por, drejtuar nga instinktet e tij islamike dhe neo-otomane, Turqia kohët e fundit është ‘përvjedhur’ larg nga aleatët e saj të NATO-s, sidomos në lidhje me Lindjen e Mesme. Dhe sjellja e tij despotike ka ‘minuar’ sundimin e ligjit, lirinë e fjalës dhe të institucioneve të pavarura të Turqisë. Nëse do t’i kishte bindur votuesit të mbështesnin presidencën e tij ekzekutive, e ardhmja e vërtetë e demokracisë së Turqisë do të ishte vënë në rrezik.
Rruga e drejtë për zotin Erdogan tanimë është të tërhiqet nga ‘lufta’ dhe të veprojë si president apolitik, që parashikon Kushtetuta. Partia e tij ka nevojë për liderë të rinj të panjollosur nga lidhje të ngushta me të dhe ambiciet e tij monarkike. Për shkak të efikasitetit të opozitës, ndryshimi në Turqi ka kohë që duket se ka më shumë gjasa të vijë nga brenda AK.
Shumë figura udhëheqëse të AK, duke përfshirë edhe paraardhësit e zotit Erdogan si presidenti Abdullah Gul, e kanë bërë të qartë se ata nuk e pëlqejnë stilin e tij të polarizuar dhe dellin autoritar. Në të vërtetë, zoti Gul, i cili si bashkëthemelues i partisë dhe ish- kryeministër zotëron staturën për t’i qëndruar përballë z. Erdogan, mund të jetë sërish një kandidat i shkëlqyer për këtë punë.
Ekonomia dhe Europa
Kushdo qoftë kryeministri i ardhshëm do të përballet me disa detyra të frikshme. Shoqëria civile ka nevojë për një periudhë çlodhjeje, pas më shumë se një dekade të vështirë nga zoti Erdogan. Pjesërisht falë suksesit mahnitës të HDP, procesi i paqes kurde duhet të rifreskohet urgjentisht. Dhe ekonomia ka nevojë për reforma të mëdha për të përmirësuar konkurrencën, për të lehtësuar rregullimin, për të reduktuar papunësinë, për të rritur pjesëmarrjen e fuqisë punëtore dhe për të reduktuar varësinë ndaj ndërtimit.
Banka qendrore, e ndodhur nën sulmin e z. Erdogan, duhet të riafirmojë pavarësinë e saj. Rritja ekonomike ka rënë kohët e fundit dhe deficiti i llogarisë korrente po zgjerohet. Në mungesë të liberalizimit të shpejtë të reformave, shfaqet qartazi rreziku i falimentit në Turqi -i cili ndihmon të shpjegojë se pse lira e ‘prekshme’ ra ndjeshëm së fundmi.
Bashkimi Europian, gjithashtu, duhet të bëjë diçka më shumë. Ndodhi pjesërisht për shkak se bisedimet e anëtarësimit të Turqisë, nisur në vitin 2005, duket se nuk çuan askund që zoti Erdogan u ‘përvodh’ drejt autokracisë. Tani që turqit kanë treguar në mënyrë ekzaltuese kredencialet e tyre demokratike, BE-ja duhet të rigjallërojë bisedimet. Ekziston edhe një shpresë e re se problemi i lashtë i Qipros mund të zgjidhet. Turqia është e një rëndësie jashtëzakonisht të madhe për të ardhmen e Europës. Rigjallërimi i aspiratave të saj për anëtarësim në BE do të ishte një shpërblim i mirë për votuesit e saj të adhurueshëm.