Sa vlen Paris Saint-Germain? Sipas një studimi të së përditshmes L’Equipe, për skuadrat që bëjnë pjesë në Ligue 1, vlera e klubit parisien i afrohet miliardit, duke u ndalur në 990 milionë euro.
Lioni duhet të kënaqet me vendin e dytë (467 milionë) por vlen pak më shumë se gjysma e shoqërisë që zotëron Al Khelaifi (president i PSG). Në vend të tretë është Monako, me 372 milionë. Kurse Marseja vlen një e treta e skuadrës kampione të Francës, ose 306 milionë. Në këtë studim janë marrë parasysh disa parametra, si kuotimi në bursë, shpërndarja e dividentëve, pronësia e aseteve.
Sipas L’Equipe, 20 klubet e Ligue 1 vlejnë në total 2,950 miliardë euro – nga 990 milionë euro PSG te 16 milionë Nimes, klubi i fundit në këtë renditje. Vetëm Paris Saint-Germain vlen 33% e të gjithë kampionatit, ndërkohë së bashku me Lionin, Monakon dhe Marsejën – katër klubet kryesore – kanë një vlerë të barabartë me 72% të Ligue 1.
Të ardhurat e Paris Saint–Germain janë rritur ndjeshëm nën drejtimin e Al-Khelaifi. Qarkullimi është rritur nga 108 milionë në sezonin 2011/12 në 375 milionë në sezonin 2017/18. Këtyre u shtohet edhe ndikimi i kontratave nga Katari, të cilat vlerësohen në rreth 150 milionë në sezonin e fundit. Këto shifra janë reduktuar ndjeshëm nga UEFA sa i përket llogarive që lidhen me Fair Play Financial, në 58 milionë euro.