Ditë të nxehta për Paris Saint-Germain. Një dokumentar i “France 2” për klubin parisien nxjerr në pah një kuriozitet interesant, në lidhje me marrëdhënien e punës mes klubit dhe lojtarëve.
Sipas “France 2”, klubi parisien ka përfshirë në kontratën e lojtarëve një shpërblim, i quajtur “shpërblim etike”, që i detyron lojtarët të “përshëndesin dhe të falënderojnë tifozët para dhe pas çdo ndeshje”.
Shpërblimi në fjalë ndryshon në varësi të rëndësisë së futbollistit. Për këtë gjest, shpesh i nënvlerësuar, Neymar thuhet se fiton 375.000 euro në muaj, ndjekur nga Mbappé me 117.000 euro. Në vend të tretë, me 70.000 euro janë Dani Alves, Di María dhe Cavani. Thiago Silva ndalet në 33.000 euro.
Lajmi, i cili u përhap shpejt për shkak të veçantisë së tij, është mohuar nga sulmuesi brazilian, Neymar. Ai publikoi një status në Twitter ku shkruan: “Ky lajm, i publikuar së pari në @Record_Portugal, u përhap më pas nga media të shumta në mënyrë të papërgjegjshme. Bëhet fjalë për një tjetër “fake news’”.