Manchester City po përjeton një sezon futbollistik fantastik. Ekipi i cili drejtohet nga Pep Guardiola kryeson Premier League-n, i shkëputur ndjeshëm nga skuadrat e tjera dhe po përgatitet për shortin e çerekfinaleve të UEFA Champions League.
Rezultatet pozitive kanë rritur ndjeshëm të ardhurat komerciale.
Oferta e Puma-s për Manchester City, spekulimet flasin për një ofertë që arrin 45 milionë sterlina në vit
Sipas “The Sun”, ka zëra se klubi i Manchester-it mund të ndryshojë sponsorin teknik, dhe marrëveshja e re mund të nënshkruhet me Puma-n, për 45 milionë sterlina në vit (rreth 51 milionë euro). Aktualisht, Manchester City ka kontratë me Nike, prej së cilës klubi që drejtohet nga Guardiola përfiton 18 milionë sterlina në vit.
Me Arsenal në fund të kontratës, Puma është vënë në kërkim të një klubi tjetër të madh
Interesi i Puma-s për të lidhur kontratë me klubin e Manchester City vjen prej faktit se duke nisur nga sezoni i ardhshëm, Arsenal mund të braktisë markën e Puma-s për të nënshkruar marrëveshje me Adidas. Kjo është edhe arsyeja pse kompania e themeluar nga Rudolf Dassler kërkon të nënshkruajë marrëveshje me një klient të rëndësishëm si Manchester City në skenën e futbollit britanik. Megjithatë Puma duhet të ketë kujdes edhe prej kompanive të tjera që ia kanë vënë syrin Manchester City, përfshi këtu Under Armor, e cila në të shkuarën ka treguar interes për të arritur një marrëveshje me klubin e citizens.
Por duhet të presin për të parë se si do të zhvillohet situata, edhe pse një burim nga Etihad është shprehur: “Ka pasur disa zëra, por për momentin nuk kemi asnjë njoftim për të bërë. City ka ende një marrëdhënie të fortë me Nike, kështu që tifozët duhet të tregohen të duruar. Ka ende shumë punë për të bërë”.