Punëtorët e ”Ferronikeli”-it i marrin pagat nga pronari i ri

24/07/2018 4:56 PM 0 komente

Grupi “Balfin” ka nënshkruar një marrëveshje për të zotëruar 90% të aksioneve të Newco “Ferronikeli”, uzina dhe fonderia e integruar e ferro-nikelit e ndodhur në Drenas të Kosovës. Balfin do t’i zotërojë aksionet e Newco Ferronikeli përmes kompanisë me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, NKL Limited.

Newco Ferronikeli ishte prekur nga rënia e çmimeve të nikelit gjatë viteve të fundit dhe nuk kishte operuar me kapacitet të plotë gjatë 18 muajve të fundit, ndërkohë që e kishte ndërprerë plotësisht veprimtarinë gjatë 4 muajve të fundit.

 

Nika: Sot “Balfin” pagoi rrogat e mbetura borxh

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Ferronikelit” Fehmi Nika tha se me optimizëm të madh janë duke e pritur që Grupi “Balfin”, të marrë në zotërim Nwco “Ferronikeli”.

“Sot kemi pasur takim me pronarin e Grupit “Balfin”, Samir Mane. Ai na ka dhënë shumë premtime, shpresë dhe optimizëm ”, tha ai për RTKlive.

Ai bëri me dije sot iu është paguar edhe një rrogë punëtorëve.

“Samir Mane na ka thënë se nuk do të ketë asnjë problem me paga.Sot është paguar një rrogë, ndërsa pjesa tjetër do të paguhet së shpejti”, theksoi Nika.

“Balfin”, ka njoftuar se do të investojë menjëherë fonde të mjaftueshme për ta rivënë në punë uzinën dhe do ta rikthejë prodhimin me kapacitet të plotë brenda Gushtit, ka rënë dakord që të paguajë borxhet ekzistuese të kompanisë ndaj furnitorëve sa më shpejtë të jetë e mundur si dhe do të paguajë pagat e pashlyera të punonjësve.

“Newco Ferronikeli, me mbi 800 punëtorë përfaqëson punëdhënësin më të madh në Kosovë dhe është përgjegjës për të paktën 1500 vende të tjera pune që kanë të bëjnë me furnizimin e uzinës me lëndë të para dhe logjistikë, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri. Me blerjen e Newco Ferronikeli-t, Balfin përsërit një eksperiencë të ngjashme si ajo me Albchrome në 2012, çka solli rigjallërimin e industrisë minerare në Shqipëri. Albchrome është duke zbatuar planin e një investimi prej 70 milionë dollarësh i cili prek minierën e Bulqizës për t’ia rritur jetëgjatësinë rezervave të kromit me mbi 20 vjet, si dhe duke rivënë në punë dhe duke investuar me furra të reja në Burrel dhe duke bërë përmirësime domethënëse në fonderinë në Elbasan. Me 2 uzina në të cilat operojnë 4 furra, dhe minierën e Bulqizës, Albchrome ka mbi 1100 punonjës dhe përbën një aktor kyç në sektorin minerar shqiptar”, thuhet në komunikatë.

Kompleksi i Ferro-nikelit në Drenas përfshin një uzinë të prodhimit të nikelit, ndërkohë që zona përreth është e pasur me depozita minerale. Impianti në fjalë është ndërtuar në vitin 1984, duke përdorur teknologjinë sovjetike të kohës. Grupi Balfin ka planifikuar të kryejë investime shtesë në Newco Ferronikelli në mënyrë që potenciali i sektorit minerar në Shqipëri dhe Kosovë të mund të vihet në përdorim në mënyrë të plotë dhe për ta rritur prodhimin e nikelit nga 7200 ton në vit, në mbi 10 000 ton në vit.

 

Shahini: Biznesi shqiptar po e zhvillon vendin

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se lajmi se “Balfin Group” , do të investojë në “Newco Ferronikeli”, me mbi 800 punëtorë, është i mirëseardhur.

“Vetëm të paramendojmë vite më parë se një kompani shqiptare do të mund të blejë këtë gjigant, dhe të investojë miliona euro, është një gjë pozitive. Ne si AKB, presim që të ketë investime dhe zhvillim për “Newco Ferronikeli””, tha ai për RTKlive.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz