Punimet në Tiranë-Durrës, ARRSH: Të martën mbyllet Vorë-Maminas, si do bëhet qarkullimi

11/06/2018 9:38 PM 0 komente

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se, në kuadër të punimeve në autostradën Tiranë-Durrës, do të ketë mbyllje të pjesshme të rrugës. Këtë të hënë, ndërhyrjet përfshinë pjesën Qafë Kashar-Vorë ndërkohë që të martën do mbyllet segmenti Vorë-Maminas. Në një njoftim të përbashkët për shtyp së bashku me Policinë Rrugore, ARRSH sqaron edhe mënyrën sesi do të kryhet qarkullimi.

“Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore informojnë median dhe opinionin publik se në vijim të ndërhyrjes emergjente për riparimin e shtresave asfaltike në aksin Qafë Kashar – Durrës dhe Durrës – Qafë Kashar, në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performancë të Bankës Botërore do të fillojë nesër (e martë) në orën 06-00 të mëngjesit fazën e dytë të punimeve në segmentin Vorë – Maminas në drejtimin Tiranë – Durrës.

ARRSH dhe Policia Rrugore kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor.

Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë Rrugore është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

VORË – MAMINAS

Devijimi i trafikut në drejtimin Tiranë – Durrës fillon në orën 06:00, datë 12.06.2018

Lëvizja e automjeteve në drejtimin Tiranë – Durrës do të devijohet te karburant Kastrati në Vorënë rrugën dytësore Vorë – Marikaj – Maminas (te nënkalimi i dytë i Vorës)

Automjetet mund të përdorin serish autostradën nga Maminasi në drejtim të Durrësit te mbikalimi i Maminasit.

Lëvizja e mjeteve të tonazhit të rëndë të cilat lëvizin nga Veriu në drejtim të Jugut, do të devijohen në Fushë-Krujë në drejtim të Kamzës duke shfrytëzuar rrugët alternative Tiranë – Unaza e Re –   Kombinat – Ndroq – Durrës ose Tiranë – Unaza e Re – Elbasan – Rrogozhinë.

Drejtimi nga Durrësi për në Tiranë është i hapur për lëvizjen e automjeteve.

Dalja për automjetet të mbikalimit në Marikaj për në rrugën dytësore do të jetë i bllokuar.

Dalja te mbikalimi i Vorës në drejtim të Veriut do të jetë e mbyllur për mjetet e rënda që lëvizin në drejtimin nga Durrësi drejt veriut. Këto mjete do të shfrytëzojnë mbikalimin te Casa Italia në drejtim të Kamzës dhe në vijim.

Në mënyrë të veçantë, drejtuesit e mjeteve që përdorin segmentin Tiranë-Durrës dhe kthim duhet të përpiqen të zgjedhin drejtime alternative sipas udhëzimeve që do të jepen në vazhdimësi nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore.

Punonjësit e autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqendruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.

Ju kërkohet drejtuesve të mjeteve që të respektojnë në mënyrë rigoroze rregullat e qarkullimit rrugor, sinjalistikën provizore të vendosur në segmentet ku do të punohet dhe udhëzimet e policisë.​

Pas përfundimit të ndërhyrjes në segmentin Vorë – Maminas do të fillojë ndërhyrja në segmentet e tjera për të cilat ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor do të përditësojnë skemat e lëvizjes dhe informojnë opinionin publik”, thuhet ne njoftimin e ARRSH.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz