Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar për mënyrën sesi do të bëhet qarkullimi në aksin Vorë-Kthesa e Rinasit – Fushë-Krujë, në të cilin po kryhen ndërhyrje rehabilituese.
Referuar njoftimit, ARRSH jep detaje për kalimin e mjeteve që vijnë nga Kthesa e Doganës Tiranë si dhe për ato që kalojnë në këtë segment, duke hyrë nga Veriu i vendit.
“Në vijim të njoftimeve të mëparshme lidhur me rehabilitimin e segmentit Vorë – K/Rinasit – Fushë-Kruje ju rikujtojmë përdoruesve të rrugës se segmenti nga Kthesa e Doganës së Tiranës deri tek kthesa për Prezë është i bllokuar plotësisht për arsye të kryerjes së punimeve rehabilituese.
- Siç edhe është njoftuar më parë Dogana e Tiranës është e aksesueshme nga ana e Vorës. Mjetet mund të aksesojnë Doganën vetëm nëpërmjet segmentit rrugor Vorë – Dogana e Tiranës për të kryer shërbimet Doganore dhe të kthehen përsëri në drejtim të Vorës.
- Mjetet e transportit të mallrave/kamionët që udhëtojnë nga Shkodra, Lezha në segmentin Milot – Fushë-Krujë në drejtim të Tiranës dhe Durrësit duhet të ndjekin drejtimin të Kamzës dhe të vazhdojnë udhëtimin nëpërmjet Autostradës.
- Mjetet e vogla që udhëtojnë nga Veriu rekomandohet të vazhdojnë udhëtimin në drejtim të Tiranës dhe Durrësit nëpërmjet segmentit rrugor Fushë-Krujë – Kamëz si edhe nëpërmjet segmentit Ahmetaq (kthesa e Rinasit) – Rinas – Qafë Kashar.
- Rruga është e hapur gjithashtu për të gjitha automjetet që duan të kryejnë shërbimet e Kontrollit Periodik në qendrën SGS vetëm nëpërmjet drejtimit të Fushë-Krujës” thuhet në njoftim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.