Sistemi bankar ndodhet në një fazë të ethshme shitblerjesh. Teksa bankat do të tentojnë të maksimizojnë përfitimet nga ky proces, punonjësit janë në ankth për vendet e punës. Përthithja e Veneto nga Intesa Sanpaolo po çon drejt largimit mbi 70 punonjës të stafit të Veneto, apo rreth 70% të totalit, ndërsa në Itali ata janë të mbrojtur nga Fondi i Solidaritetit. Kush duhet t’i mbrojë punonjësit shqiptarë? Reagimet e Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave
2018-a po rezulton një vit me shumë lëvizje në sistemin bankar. Në shtator, pritet që të përfundojë bashkimi i Intesa Sanpaolo Bank Albania (ISBA), me Banën Veneto, pas një procesi përthithjeje të ISBA në linjë me të njëjtën procedurë të bankave mëmë në Itali. Banka Amerikane e Shqipërisë (ABI) ka blerë tashmë Bankën Kombëtare të Greqisë (NBG Albania), një proces që ka marrë miratimin e Bankës së Shqipërisë. Një tjetër bankë me kapital grek, Tirana Bank është në negociata finale për shitje dhe ka disa banka pretendente.
Banka Societe Generale ka nisur tashmë procedurën e shitjes, në linjë me strategjinë e bankës mëmë në Francë, për të hequr dorë nga rajoni. Hungarezët e OTP-së janë të interesuar për të hyrë në tregun shqiptar përmes blerjes së Societe Generale. Banka e Shqipërisë ka deklaruar së fundmi se interes për tregun shqiptar ka dhe banka e madhe italiane, UniCredit.
Teksa në afatin e gjatë, këto blerje dhe bashkime pritet të ndikojnë pozitivisht në sistemin bankar shqiptar, duke rritur eficiencën e tij, në afatin e shkurtër, këto lëvizje kanë rritur tensionin tek punonjësit e bankave, që mund të humbin vendet e punës nga blerjet ose përthithjet.
Në fund të vitit 2017, sistemi bankar kishte 6,894 punonjës, sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, një numër që ka mbetur pothuajse i pandryshuar tre vitet e fundit, teksa bankat nuk po zgjeroheshin më. Tashmë ky numër pritet të reduktohet.
Të parët që po preken janë punonjësit e Bankës Veneto. Në maj të këtij viti, Divizioni i Degëve Ndërkombëtare të Intesa Sanpaolo i ka nisur një shkresë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore të Bankës Veneto, ku e njofton se është miratuar shkrirja e dy bankave dhe në këtë proces, nga 115 punonjës të Veneto, 37 nuk do të jenë subjekt i “pushimit kolektiv” dhe 78 punonjës do të jenë objekt i “pushimit kolektiv”, që do të aktivizohet menjëherë pas miratimit të projektit të bashkimit nga Autoritetet Përkatëse.
Kjo shkresë ka shkaktuar reagimin e punonjësve, të cilët pretendojnë se në Itali, për punonjësit e Bankës Veneto nuk është ndjekur një praktikë e tillë dhe qeveria italiane ka garantuar në marrëveshjen e bashkimit mes Intesa dhe Veneto mbrojtjen e vendeve të punës. Në një letër që një grup punonjësish i kanë dërguar guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, ata pretendojë se nga bashkimi me përthithje i Bankës Veneto nga Intesa Sanpaolo nuk ka arsye të vlefshme ekonomike ose strukturore për të bazuar pushimin kolektiv të 78 punonjësve dhe për më tepër po preken vetëm punonjësit e njërës prej shoqërive të kontrolluara që do të bashkohen.
Banka e Shqipërisë, nga ana e saj, thotë për “Monitor” se po ndjek me vëmendje çdo diskutim me Këshillin e Punëmarrësve të Veneto Bank dhe konsultimet me Ministrinë e linjës për arritjen e një marrëveshje të mundshme. Ajo thotë se racionalizimi i punëmarrësve të agreguar, si pasojë e ristrukturimit të bankave që rezulton nga bashkimi, do të menaxhohet në përputhje me ligjin e punës të vendit dhe pasojat e bashkimit për punonjësit e Veneto Bank Albania do të burojnë në bazë të neneve 138, 139 dhe 139/1 të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë (lexo prononcimin e plotë në vijim).
Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave pranon se në rastet e bashkimeve të bankave teorikisht, nuk mund të përjashtojmë faktin që ekziston risku i shkurtimit të numrit të punonjësve. Edhe ai rekomandon që mbrojtja më e fortë e punonjësve është legjislacioni në fuqi.
Në Itali, punonjësit mbrohen nga Fondi i Solidaritetit, në Shqipëri nga Kodi i Punës
Në marrëveshjen e Bashkimit mes Veneto dhe Intesa Sanpaolo në Itali thuhet se integrimi i dy bankave dhe punonjësve të tyre do të bëhet pa pushime nga puna dhe vetëm përmes largimeve vullnetare. Por, kjo po ndodh vetëm në Itali. Në një prononcim zyrtar për “Monitor”, zyra qendrore e marrëdhënieve ndërkombëtare e Grupit Intesa Sanpaolo, tha se punonjësit në Itali po përdorin instrumentin special të “Fondit të Solidaritetit”, ndërsa në Shqipëri, një fond i tillë nuk ekziston dhe punonjësit janë subjekt i ligjeve specifike shqiptare.
Më poshtë është prononcimi i plotë i Grupit Intesa Sanpaolo.
“Në fund të qershorit 2017, Intesa Sanpaolo bleu një pjesë të aksioneve të Bankës Veneto dhe Banca Popolare di Vicenza, të cilat Rregullatori i ka vënë në likuidimin administrativ të detyruar, me ndikim edhe tek të punësuarit.
Ligji italian parashikon mundësinë për të vijuar me pushimet kolektive, në rastet e riorganizimit të kompanisë. Por ka edhe instrumente të tjera të menaxhimit, në drejtim të reduktimit të personelit.
Në rastin konkret të Intesa Sanpaolo, përveç punonjësve në Itali që kishin kërkesa për pension, duke zgjidhur marrëveshjet e punës me qëllim daljen në pension, shumë punonjës të tjerë që nuk kishin kërkesa për pension, shfrytëzuan për këtë qëllim, instrumentin special të “Fondit të Solidaritetit” të Sektorit të Kredisë.
Ky fond, i cili nuk parashikohet nga ligji shqiptar, financohet nga bankat dhe punonjësit. Fondi i mësipërm paguan një faturë të jashtëzakonshme mujore, për një periudhë të kufizuar kohore që u lejon punonjësve të arrijnë kërkesat e pensioneve të parashikuara nga ligji italian.
Grupi Intesa Sanpaolo konfirmon se, edhe në Shqipëri, do të respektojë ligjet ekzistuese shqiptare, duke gjetur edhe rezoluta të mëtejshme për të minimizuar ndikimin që rrjedh nga riorganizimi aktual. Brenda këtij konteksti, theksohet se iniciativat e miratuara nga grupi kanë mundësuar të reduktohet ndjeshëm numri i punonjësve të interesuar”, përfundon grupi Intesa Sanpaolo.
Banka e Shqipërisë dhe Shoqata e Bankave pranojnë që në Shqipëri nuk ka një mekanizëm që të mbrojë punonjësit, por marrëdhëniet e tyre rregullohen vetëm nga Kodi i Punës (lexo prononcimet në vijim të Bankës së Shqipërisë dhe Shoqatës së Bankave).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.