Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie gjatë ditës së sotme, duke zbritur poshtë nivelit prej 136 lekë për herë të parë që nga gushti i vitit 2010, kur një euro u këmbye deri me 135.5 lekë, sipas serive kohore të Bankës së Shqipërisë.
Sipas kursit zyrtar të BSH, një euro u këmbye sot me 135.97 lekë, 0.31 lekë më pak se një ditë më parë duke shënuar rënie për të gjashtën ditë radhazi.
Aktorët e tregut pohojnë se arsyet e rënies së euros janë sezonale, pasi gjithnjë në këtë periudhë ka një rritje të prurjes të valutës për shkak të ardhjes së turistëve, kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia.
Pas mbarimit të muajit të Ramazanit është rritur fluksi i turistëve, sidomos nga Kosova, që i janë drejtuar bregdetit shqiptar.
Në kahun tjetër, pasiguria e shtuar në Europë, pas sulmeve terroriste në Francë dhe grushtit të shtetit në Turqi e sulmeve terroriste në këtë vend, që është destinacioni kryesor i shqiptarëve për pushim, ka çaur në rënien e ndjeshme të kërkesës për valutë nga pushuesit shqiptarë. Ndonëse agjencitë turistike pohojnë se kërkesat për pushime në Turqi janë rritur, zyrat valutore pohojnë se ata kanë konstatuar një rënie të aktivitetit të këmbimeve nga agjencitë turistike.
Megjithatë, vetëm flukset e turistëve janë të pamjaftueshme për të shpjeguar këtë rënie, teksa edhe vitet e kaluar ato kanë ndikuar në zhvlerësimin e euros, por në një masë më të vogël.
Arsyeja kryesore lidhet me mungesën e kërkesës nga sipërmarrjet, që sipas operatorëve të tregut është dukshëm më e ulët se një vit më parë, duke reflektuar krizën e konsumit. Ka qenë pikërisht kjo mungesë e kërkesës nga ana e bizneseve, që po çon në zhvlerësimin e valutës. Një tjetër faktor shtesë ka të bëjë me grushtin e shtetit në Turqi dhe mosstabilizimit të situatës atje, çka ka bërë që shumë tregtarë të qëndrojnë në pritje, duke mos blerë valutë. Turqia është partneri i katërt tregtar i vendit për importet, pas Italisë, Greqisë dhe Kinës, sipas të dhënave të INSTAT.
Rënie gjatë ditës së sotme shënuan dhe dollari dhe paundi britanik, që u këmbyen përkatësisht me 123.3 lekë dhe 162.84 lekë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.