Moratoriumi i Pyjeve për një periudhë 10- vjecare tashmë ka hyrë në fuqi. Duke e konsideruar këtë Moratorium si vendim historik për të ardhmen e zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve Ministri i Mjedisit Z. Lefter Koka thekson se zbatimi i këtij ligji kërkon pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve, qytetarëve shqiptarë, opinionit publik dhe medias. Gjithashtu Kreu i Mjedisit Koka i kërkon të gjitha institucioneve shtetërore që janë ngarkuar për zbatimin e këtij ligji, angazhim maksimal për zbatimin me sukses të moratoriumit të pyjeve.
Qëllimi i këtij ligji është që të reduktojë ndërhyrjet mbi fondin pyjor, të degraduar si pasojë e mbishfrytëzimit dhe dëmtimeve të tjera, me synim përmirësimin dhe rehabilitimin e gjendjes së tij.
Në bazë të këtij moratoriumi ndalohet kategorikisht i -) ushtrimi i veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ii -) tregtimi i produkteve të tij, iii-) ndalimi i eksportit të lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit si dhe i qymyrit të drurit.
Nga fusha e zbatimit të nenit 2 të këtij ligji përjashtohen: a) shfrytëzimi i lëndës drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive për dru zjarri; b) rastet e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor dhe kullosor referuar legjislacionit në fuqi, c-) shfrytëzimi i lëndës drusore për rigjenerimin, shëndetësimin e pyjeve dhe pastrimin e mbetjeve drusore.
Të drejtat ekzistuese për shfrytëzimin e fondit pyjor publik dhe privat, të fituara sipas proçedurave ligjore në fuqi pezullohen deri në daljen e vendimit të Këshillit të Ministrave të parashikuar në pikën 2 të nenit 3 të këtij ligji.
Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, por përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, në vlerën 5 000 000 (pesë milionë) lekë.
Afati i zbatimit të këtij ligji është 10 (dhjetë) vite nga data e hyrjes së tij në fuqi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.