Emirates nuk “shohin asnjë arsye” në këtë fazë për t’u tërhequr nga kontrata si sponsor i fanellës së Paris Saint-Germain, pavarësisht krizës në mes të Emirateve të Bashkuara dhe Katarit, që ka në pronësi klubin francez. Këtë e bëri të ditur për AFP një zëdhënës nga kompania ajrore.
Në fakt, ditët e fundit, qarkulluan zëra për sa i përket mundësisë që klubi francez, të ndërpriste kontratën aktuale me Emirates Airline në fund të sezonit, që është shfaqur në fanellën e PSG për herë të parë në vitin 2006, për të kaluar te konkurrentja Qatar Airways. Nga ana tjetër, ndër opsionet është edhe QNB ose Qatar National Bank, aktualisht sponsor i PSG (shfaqet në mëngën e majtë te fanella) e cila është duke kërkuar më shumë hapësirë.
Në thelb, ideja do të jetë për t’u dhënë më shumë hapësirë kompanive të Katarit, natyrisht të lidhura (edhe pse jo drejtpërdrejt) me Nasser Al Khelaifi. Por Emirates Airways nuk ka aspak ndër mend ta lërë klubin francez.
“Emirates ka nënshkruar me PSG një kontratë deri në vitin 2019” – tha më tej zëdhënësi i kompanisë ajrore. “Deri tani, klubi ka përmbushur të gjitha detyrimet e veta dhe nuk shohim asnjë arsye se pse duhet ta ndërpresim kontratën”, – siguroi ai.
Thuhet se kjo çështje lidhet me situatën politike të Katarit. Më 5 qershor, Arabia Saudite, Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti mbyllën kufijtë me Katarin, të cilin e akuzuan për nxitje të terrorizmit në vendet fqinje dhe në Jemen. Katari, në anën tjetër, i ka mohuar këto akuza.
Analistët kanë thënë se transferimi i Neymar mund të ketë si qëllim të largojë vëmendjen e publikut nga kriza politike që përfshiu Katarin.
Qatar Airways ndër të tjera ka qenë sponsor i fanellës së Barcelonës deri më 30 qershor të vitit të kaluar, kur blaugranat nënshkruan një kontratë me kompaninë kineze Rakuten. Marrëveshja me Qatar Sports Investment – QTI – për sponsorizimin nga dhjetor 2010 deri më 30 qershor 2016 – siguroi në arkat e klubit katalan 161 milionë euro.
Emirates Airline kanë marrëveshje sponsorizuese me AC Milan, Real Madridin dhe Arsenalin.