Shqipëria është një vend i ekspozuar ndaj katastrofave natyrore dhe ndryshimeve klimatike, veçanërisht ndaj tërmeteve. Ajo gjendet në brezin sizmik Alpe-Mesdhe (së bashku me Greqinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Bullgarinë Jugore dhe Turqinë Perëndimore), që përbën zonën e kontaktit ndërmjet pllakave litosferike të Afrikës dhe Euroazisë, rajon i cili karakterizohet nga rënia e të paktën një tërmeti në vit me magnitudë 6.5 të shkallës Rihter. Mjafton një klikim në adresën http://earthquaketrack.com për t’u informuar që “Albania” shfaqet me intensitet jo të ulët në numërimin e tërmeteve që kanë rënë në vitin e fundit, apo edhe në evidencat e tërmeteve të klasifikuara si të mëdha.
Ndërkohë, Shqipëria është e dobët përballë pasojave të tërmeteve, si rrjedhojë e cilësisë së dobët dhe jo sipas standardeve të ndërtimeve dhe infrastrukturave relativisht të pakonsoliduara për zbutjen dhe administrimin efektiv të pasojave të katastrofave. Kur “kalon furtuna”, ajo që mbetet është një faturë financiare, shpeshherë jo e vogël për t’u përballuar. Humbjet në shkallë botërore që shkaktohen prej rreziqeve gjeologjike dhe të lidhura me klimën janë në rritje. Munich RE NatCatSERVICE, 2014, vlerëson se vetëm në vitin 2013 humbjet ekonomike, si pasojë e katastrofave natyrore, arritën në 125 miliardë USD, ndërsa në periudhën 1998-2012, humbjet mesatare ekonomike vlerësohen në 115 miliardë USD.
Sipas vlerësimeve të bazuara në modelet e riskut të kryer nga ‘Europa Re’, një tërmet me probabilitet ndodhjeje një herë në 500 vjet, për një vend si Shqipëria, mund të shkaktojë dëm prej më shumë se 3.5 miliardë eurosh, prej të cilave 2 miliardë euro vlerësohen dëmet që mund t’u shkaktohen banesave. Por, pavarësisht kësaj, matjet tregojnë se aktiviteti sizmik në Shqipëri përbëhet kryesisht nga ngjarje të mikrotërmeteve intensive, si dhe nga tërmete me madhësi të vogël e të mesme, dhe rrallë ndodhin tërmete të mëdha me magnitudë më të lartë se 7.0 të shkallës Rihter.
Nga shekulli III p.e.s. e deri më sot Shqipëria raportohet se është goditur nga 55 tërmete të forta, 36 prej të cilave ndodhën në shekullin XIX.
Në shekullin XX numërohen disa tërmete të forta e që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme si ai i Shkodrës më 1 qershor 1905; tërmeti i rënë në Liqenin e Ohrit më 18 shkurt 1911; i Tepelenës më 26 nëntor 1920 dhe i Durrësit më 17 dhjetor 1926, të gjithë me magnitudë ndërmjet 6.2 dhe 6.9 të shkallës Rihter. Vetëm gjatë vitit fundit, në Tiranë janë regjistruar 22 tërmete me intensitet të ndryshëm.
Risk të konsiderueshëm për Shqipërinë paraqesin jo vetëm tërmetet që ndodhin në territorin e Shqipërisë, por edhe ato që ndodhin në zonat kufitare të vendeve fqinje. Mjafton të kujtojmë tërmetin që ra në vitin 1979 në Mal të Zi, i cili shkaktoi dëme në qarqet e Shkodrës dhe të Lezhës, duke vrarë 35 vetë, duke plagosur 382 të tjerë dhe duke lënë pa shtëpi 100,000 vetë. (Vlerësimi i rrezikut të katastrofave në Shqipëri, PNUD, tetor 2003).
Një situatë e tillë nuk është unike për Shqipërinë. Është vërejtur ekspozimi ndaj katastrofave natyrore edhe në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Në një situatë të tillë kanë ndikuar një sërë faktorësh, duke filluar nga rritja e përqendrimit të popullsisë dhe pasurisë në disa zona me rrezik e deri te rritja e ndryshimeve klimatike. Kjo ka bërë që kostot e përballimit të pasojave të katastrofave të jenë përgjithësisht të larta. Deri më sot, për përballimin e këtyre kostove, ka mbizotëruar mekanizmi i financimit pas ndodhjes së katastrofës. Por një strategji e tillë ka disa probleme, sepse qeveritë detyrohen të rialokojnë fondet e buxhetit nga projekte të rëndësishme zhvillimi në fondin e emergjencës; qeveritë detyrohen të shtojnë nivelet e borxheve, duke krijuar vështirësi për financat publike në shumë vite, apo të rrisin tatimet, duke frenuar investimet private të reja, të cilat janë të nevojshme për të rivënë ekonominë në punë pas një katastrofe. Gjithashtu, ndihmat ndërkombëtare për raste të tilla janë të ngadalta dhe nganjëherë edhe joefektive. Duke pasur parasysh kohëzgjatjen e rikuperimit pas katastrofës, vërehet se ngjarje të tilla e thellojnë më tej varfërinë. Kështu, modeli i vjetër i financimit pas ndodhjes së katastrofës dhe mbështetja në ndihmat nga komuniteti ndërkombëtar ka rezultuar një model joefektiv. Për këtë arsye, si rrugëzgjidhje po mendohet ndërtimi i programeve të financimit parandalues, të cilat të ofrojnë më shumë efektivitet në përballimin e pasojave të katastrofave (Gurenko, 2004).
Programi i financimit parandalues
Programi i financimit parandalues nënkupton një qasje më aktive në administrimin e rrezikut që vjen nga katastrofat natyrore, përfshi edhe tërmetet. Në këtë kuadër, prej vitit 2006, Banka Botërore, në bashkëpunim me Kombet e Bashkuara, ngritën Linjën e Financimit Botëror të Zbutjes dhe Rimëkëmbjes nga Katastrofat (GFDRR). Zbutja dhe rimëkëmbja nga katastrofat konsiderohen si elemente kritike të axhendës për reduktimin e varfërisë. Thelbi i programit është ndërtimi i një modeli financimi, bazuar në profilin e rrezikut të katastrofave të hartuar për zotëruesit e banesave, të pronarëve të bizneseve, fermerët dhe qeveritë e secilit vend, përmes bashkëpunimit publik-privat. Programi mbështetet në pesë shtylla kryesore: (i) vlerësimi i rrezikut; (ii) ndërtimi i kapaciteteve institucionale për t’u përgatitur për raste katastrofash; (iii) kryerja e investimeve që ulin rreziqet, me qëllim që të mbrohet infrastruktura kritike; (iv) parapërgatitja për katastrofat, dhe (v) financimi i rrezikut të katastrofave, pjesë e së cilës është transferimi i rrezikut drejt tregjeve konkurruese të sigurimeve. (Cummins dhe Mahul, 2009)
Sigurimi mbetet forma më e zakonshme e financimit paraprak të ngjarjeve të tilla. Sigurimet, përveçse ofrojnë një mekanizëm aktiv të pakësimit të rrezikut, mund t’u shërbejnë qeverive për zbutjen në mënyrë efektive të rrezikut (fiskal dhe social). Në këtë rast sigurimet (i) ofrojnë likuiditetin që nevojitet menjëherë pas ndodhjes së katastrofës, si edhe (ii) çojnë në zbutjen e ekspozimit ndaj katastrofave natyrore, duke përmirësuar për rrjedhojë perspektivën për investime dhe rritje ekonomike.
Në Shqipëri, tregu i sigurimeve ofron produkte vullnetare të sigurimit të pronës, përfshi edhe sigurimin e risqeve nga tërmetet. Por sigurimi nga këto ngjarje mbetet sporadik dhe më tepër i diktuar nga kredia bankare që mbështet me kolateral ndërtesën. Në totalin e të ardhurave të tregut të sigurimeve, sigurimi i pronave nga zjarri dhe tërmetet zë 13.6%. Nga vlerësimet e bëra, vetëm 1-2 banesa në 100 kanë mbulim privat për sigurimin nga katastrofa. Pra, penetrimi i produktit të sigurimit të pronës nga tërmetet, në formën e sigurimit vullnetar, mbetet tepër i ulët. Qartësisht lind nevoja për ndërtimin e një programi në rang vendi, që pjesë të tij të ketë edhe zhvillimin e produkteve të sigurimeve nga katastrofat dhe në veçanti nga tërmetet.
Hapat në këtë drejtim janë hedhur. Institucionet qeveritare janë duke shqyrtuar projektet pilote të ofrimit të produkteve të sigurimit për bujqësinë, përfshi edhe sigurimin nga katastrofat natyrore. Në muajin mars 2014, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi produkte të reja të sigurimit nga tërmeti. Këto produkte janë dizenjuar për të mbuluar riskun e dëmtimit të drejtpërdrejtë fizik apo humbjes fizike të pronës së siguruar, si banesave apo godina të sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dëmtim që vjen si pasojë e rënies së tërmetit apo zjarrit të shkaktuar nga rënia e tërmetit. Këto produkte mbështeten nga modele të sigurimit dhe risigurimit të riskut të katastrofave të dizenjuara specifikisht për tregjet e Europës Juglindore.
Kjo ngjarje përbën një tjetër hap në drejtim të rritjes së ofertës së produkteve të sigurimeve nga katastrofat natyrore, që sigurisht nuk është e mjaftueshme. Ajo çka mbetet e nevojshme është organizimi i një plani që të sigurojë një penetrim të gjerë të produkteve të sigurimit të pronës nga tërmetet, si element i mbrojtjes së pasurisë së popullatës dhe të bizneseve. Në këtë kuadër mbeten në shqyrtim opsione, të tilla si nxitja e tregut të produkteve të detyrueshme të sigurimit nga tërmetet, me shkallë të ndryshme pjesëmarrjeje të individit/shoqërisë që sigurohet dhe subvencionimit shtetëror.
Turqia
Tërmetet e vitit 1999 në Turqi shkaktuan sipas OECD 18,000 viktima, si dhe shkatërrimin apo dëmtimin e 300,000 banesave dhe 46,000 bizneseve, me një humbje totale makroekonomike të vlerësuar në 10 miliardë USD. Pas këtyre ngjarjeve u krijua Fondi Turk i Sigurimit nga Katastrofat, i cili ofron mbulim të detyrueshëm sigurimi nga tërmetet për të gjitha banesat në vend, çmimi i të cilave përcaktohet në mënyrë të efektshme. Një fond i ngjashëm është zhvilluar në Rumani.
Nga Teuta Baleta
Rinald Guri
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.