Ndryshe nga vitet e mëparshme, shtetasit nga R.Kosovës kanë shënuar tkurrjen më të thellë, me afro 30% në raport me një vit më pare. Reduktohen edhe daljet e shqiptarëve
Nga Laura Çela
Sezoni turistik i këtij viti po shënon shifra negative në raport me një vit më parë. Të dhënat më të fundit nga Drejtoria e Kufirit të Policisë së Shtetit për periudhën qershor – 15 gusht të këtij viti, konfirmojnë rënien e hyrjeve të shtesave vendas dhe të huaj në pikat tona kufitare.
Në total, gjatë këtij sezoni, kanë udhëtuar drejt Shqipërisë 1.7 milionë individë, me një rënie prej 8.6% në raport me një vit më parë.
Ulje është shënuar në të dyja grupet, qoftë nga vendasit, por edhe nga të huajt.
Burimi:Drejtoria e Kufirit e Policisë së Shtetit
Më e ndjeshme, rënia ka qenë te shtetasit shqiptarë, të cilët mesa duket, për shkak të krizës ekonomike dhe rënies së fuqisë financiare, kanë zgjedhur të mos udhëtojnë drejt vendit të tyre gjatë sezonit veror, duke shmangur fluksin, por edhe çmimet e “kripura” të biletave të avionëve apo trageteve.
Në total, nga qershori deri më 15 gusht kanë hyrë në Shqipëri rreth 785 mijë shtetas të huaj, me një ulje prej 8% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Siç është konfirmuar edhe nga agjencitë turistike apo nga drejtues të njësive akomoduese në vend, këtë sezon është konstatuar rënie në numrin e turistëve, kryesisht gjatë periudhës qershor-gusht, që ka përkuar me zgjedhjet e përgjithshme të Shqipërisë, me një mot të paqëndrueshëm, por edhe me muajin e shenjtë të Ramazanit, gjatë të cilit besimtarët myslimanë agjërojnë dhe nuk bëjnë pushime.
Bien ndjeshëm shtetasit nga R.Kosovës
Ajo që bie në sy është rënia e ndjeshme e turistëve nga Kosova që kanë hyrë në Shqipëri gjatë këtij sezoni veror.
Në total, kanë kaluar kufirin shqiptar rreth 199 mijë shtetas nga R.Kosovës, nga 283 mijë një vit më parë. Kjo shënon një rënie prej 30% gjatë këtij viti.
Burimi:Drejtoria e Kufirit e Policisë së Shtetit
Rënia e pushuesve nga Kosova, sipas operatorëve turistikë, është kryesisht si pasojë e muajit të Ramazanit, që shënon edhe nisjen e agjërimit për besimtarët e fesë myslimane. Kjo ka ulur ndjeshëm numrin e turistëve nga ky shtet, pasi ata janë praktikantë të kësaj feje.
Dhe në fakt, edhe sipas raportimeve nga pikat kufitare në vend, fluksi ka nisur të jetë më i madh pas datës 8 gusht, kohë kur u mbyll edhe muaji i Ramazanit.
Shtetasit nga R.Kosovës zënë një peshë të konsiderueshme të turizmin shqiptar, pasi vetëm gjatë këtij sezoni, ata përbëjnë 25% të totalit të të huajve të mbërritur në vend.
Por ndërkohë, shtetasit maqedonas, e kanë rritur fluksin e tyre drejt Shqipërisë. Maqedonasit kanë shënuar rritje prej 4% gjatë këtij sezoni, duke i çuar në një total prej 141 mijë personash hyrjet nga muaji qershor deri më 15 gusht.
Sipas burimeve nga Drejtoria e Kufirit të Policisë së Shtetit, maqedonasit i kanë shtuar hyrjet pas datës 8 gusht (pas mbylljes së muajit të Ramazanit) dhe kryesisht janë drejtuar në zonën e Jugut të vendit.
Shqiptarët, më pak pushime
Por negative shfaqen shifrat edhe në daljet e shqiptarëve jashtë vendit, megjithëse e lehtë. Sipas Policisë së Shtetit, gjatë sezonit veror, daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit janë ulur me afro 1% kundrejt një viti më parë, duke zbritur në një total prej 810 mijë shtetasish që kanë kaluar kufirin.
Siç kanë sqaruar edhe operatorët turistikë në vend, fluksi i shqiptarëve jashtë vendit për pushimet ka shënuar rënie, në kushtet kur në vend u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme, të cilat u pasuan me ndërrim pushteti.
Kjo ka çuar në një pasiguri të madhe tek administrata publike, por edhe te bizneset, pasi priten ende reformat që do të ndërmarrë qeveria e re dhe ndryshimet që do të sjellë në punësim.
Në këtë situatë, shumë individë preferojnë të mos shpenzojnë duke udhëtuar jashtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.