Qeveria shqiptare me një vendim të fundit të saj i ka dhënë “dritën jeshile” disa ndryshimeve të rëndësishme në Regjistrin Kombëtar të Noterëve. Risia e këtyre ndryshimeve ligjore ka të bëjë me dhënien e të drejtës për t’u futur në bazën e të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Noterëve të administratës tatimore, inspektorëve të zyrës së Parandalimit të Pastrimit të Parave, të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, etj për të bërë çdo verifikim të mundshëm për raste të dyshimta. Kryetarja e Dhomës Kombëtare të Noterëve, Mimoza Sadushi thotë për “Monitor.al” se tashmë zyrtarët e këtyre institucioneve do të mund të verifikojnë online të gjitha të dhënat për raste që konsiderojnë si të dyshimta për vepra si evazioni fiskal, pastrimi i parave etj. “ Ky vendim lejtëson ndjeshëm si noterët, të cilët duhet të raportonin çdo veprim për transaksione deri në një milionë lekë, si dhe duhet të vinin në dispozicion të këtyre institucioneve dosjet përkatëse. Tashmë kjo nuk do të jetë më e nevojshme, pasi të dhënat do të jenë të online dhe verifiket mund të bëhen lehtësisht në çdo kohë pa qenë e nevojshme të ‘trokitet’ në zyrën e noterit. Nga ana tjetër ndryshimet ligjore të miratuara nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit i japin të drejtën noterëve që të futen lehtësisht në Regjistrin e Gjendjes Civile për të bërë të gjitha verifikimet e nevojshme.
Një tjetër ndryshim ligjor ka të bëjë edhe me vendimet që do të marrin gjykatat në lidhje me vendimet për heqjen e aftësisë për të vepruarpër persona të caktuar dhe markimin e tyre me ngjyrë të kuqe në mënyrë që edhe noterët të kenë akses në të” thotë znj. Sadushi. Sipas saj këto ndryshime ligjore kanë qenë të domosdoshme dhe reduktojnë ndjeshëm burokracitë.
VKM ndër të tjera citon:
Niveli i aksesit në sistemin dhe bazën e të dhënave të RNSH-së është, si më poshtë vijon:
a) Noterët kanë të drejtë leximi vetëm mbi të dhënat e tyre për regjistrat e akteve, veprimeve, testamenteve dhe të dëshmive të trashëgimisë si dhe të dhëna të tjera dytësore apo të dhëna referencare;
b) Noterët kanë të drejtë leximi në regjistrat publikë, si në regjistrin e akteve të revokuara, regjistrin e dëshmive të trashëgimisë etj., sipas udhëzimeve të Ministrisë së Drejtësisë;
c) Noterët kanë të drejtë leximi, shkrimi dhe modifikimi mbi të dhënat e të gjithë individëve dhe subjekteve;
ç) Noterët kanë drejtë shkrimi/modifikimi ose anulimi vetëm për aktet/veprimet që nuk janë arkivuar;
d) Dhoma Kombëtare e Noterisë ka të drejtë leximi për raporte përmbledhëse të të gjithë noterëve;
dh) Dhoma Kombëtare e Noterisë ka të drejtë leximi në listën e regjistrit të testamenteve dhe nuk ka të drejtë për të parë dokumentin dhe tekstin e testamentit. Dhoma shikon vetëm lëshimin ose jo të testamentit nga noteri për testamentshkruesin;
e) Dhoma Kombëtare e Noterisë ka të drejtë leximi në regjistrin e dëshmive të trashëgimisë;
ë) Dhoma Kombëtare e Noterisë ka të drejta leximi në të dhënat dytësore për komunikim ose miratim të kërkesave të noterëve në procese aprovuese të ndryshme;
f) Ministria e Drejtësisë ka të drejta të plota administrative mbi baza të dhënash të tjera dhe sistemin në rolet:
i) administrator;
ii) raportues;
iii) auditues;
iv) zhvillues.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.