Komisioni i Ndihmës Shtetërore i kërkon Bashkisë së Tiranës informacion lidhur me zbatimin e skemës së garancisë 100 milionë lekë, ose përndryshe “kërcënon” se në mungesë të njoftimit, vazhdimi i zbatimit të fondit bashkiak të garancisë, e bën ndihmën e paligjshme, sipas një vendimi të botuar në Fletoren Zyrtare. Kjo pasi komisioni ka vlerësuar se skema e Bashkisë përmban ekzistencë të ndihmës shtetërore.
Bëhet fjalë për vendimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, i marrë në prill 2013 “Për zbatimin e programit të zhvillimit ekonomik dhe punësimit “Skema e fondit të garancisë” si dhe miratimin e kritereve dhe procedurave për përzgjedhjen e bankës së nivelit të dytë”” (Vendimi i Këshillit Bashkiak nr. 20, datë 9.4.2013 ka miratuar zbatimin e Programit të Zhvillimit Ekonomik dhe Punësimit, nëpërmjet buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2013, në formën e projektit “Skema e Fondit të Garancisë”, në shumën 100.000.000 lekë). Në gusht 2013, Bashkia njoftoi se kishte përzgjedhur Bankën Kombëtare Tregtare, për hapjen e fondit të garancive (http://www.tirana.gov.al/sq/Lajmet-Aktuale/Basha,-marr%C3%ABveshje-me-BKT-p%C3%ABr-fondin-e-garancive-5805).
Por, Komisoni i Ndihmës Shtetërore, në përbërje të të cilit janë (Arben Ahmetaj kryetar; Mimoza Dhëmbi anëtare; Edmond Ademi anëtar; Ahmet Mançellari anëtar; Anduena Dedja anëtare) ka marrë në shqyrtim ex-post këtë vendim dhe njofton se në zbatim të ligjit nr. 9374, datë 21.4.2005 “Për ndihmën shtetërore” të ndryshuar, me shkresën nr. 175, datë 14.1.2014, MZHETS ka informuar Bashkinë e Tiranës se përmbajtja e vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 20, datë 9.4.2013, përmban elemente të ndihmës shtetërore.
Si rrjedhojë, Bashkisë Tiranë iu kërkua njoftimi i skemës së ndihmës së ndihmës shtetërore, nëpërmjet plotësimit të formularit të njoftimit të ndihmës, siç përcaktohet në nenin 20, pika 1, të ligjit për ndihmën shtetërore, si dhe të dispozitave të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 817 datë 28.12.2005 “Për procedurat dhe formën e njoftimit”, si dhe të gjithë dokumentacionin mbështetës për krijimin e këtij fondi garancie. Në mungesë të përgjigjes nga Bashkia e Tiranës, MZHETS-ja me shkresën nr. 175, datë 26.2.2014, përsëriti kërkesën për njoftimin e skemës së ndihmës shtetërore, të krijuar me vendimin e Këshillit Bashkiak nr. 20, datë 9.4.2013. Në mungesë të përgjigjes nga Bashkia e Tiranës, MZHETS-ja me shkresën nr. 175/1, datë 6.5.2014, i kërkoi sërish njoftimin e skemës së ndihmës shtetërore, të krijuar me vendimit të Këshillit Bashkiak nr. 20, datë 9.4.2013. Në kërkesë, MZHETS-ja e bëri me dije autoritetin e Bashkisë Tiranë se duhet të respektonte parashikimet e ligjit nr. 9374, datë 21.4.2005 “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, për të kërkuar paraprakisht një autorizim nga ana e Komisionit të Ndihmës Shtetërore. Në mungesë të njoftimit, vazhdimi i zbatimit të fondit bashkiak të garancisë, e bën ndihmën e paligjshme.
Skema
Këshilli Bashkiak Tiranë miratoi vendimin nr. 20, datë 9.4.2013 “Për zbatimin e programit të zhvillimit ekonomik dhe punësimit “Skema e fondit të garancisë”, si dhe miratimin e kritereve dhe procedurave për përzgjedhjen e bankës së nivelit të dytë”.
Vendimi i Këshillit Bashkiak nr. 20, datë 9.4.2013 ka miratuar zbatimin e Programit të Zhvillimit Ekonomik dhe Punësimit, nëpërmjet buxhetit të Bashkisë së Tiranës për vitin 2013, në formën e projektit “Skema e Fondit të Garancisë”, në shumën 100.000.000 lekë.
Përfituesi
– Biznese me natyrë prodhuese, bazë për eksport
– Biznese që aplikojnë për zbatimin e projekteve të inovacionit dhe teknologjisë
– Biznese me impakt pozitiv në mjedis
– Biznese që kontribuojnë në rritjen e punësimit
– Biznese që forcojnë rolin e gruas në ekonomi, kryesisht sipërmarrëset femra
– Biznese që inkurajojnë punësimin e të rinjve, kryesisht sipërmarrës të rinj deri në 35 vjeç
Fondi i garancisë synon nxitjen e dhënies së kredisë, për të mbështetur krijimin e bizneseve të reja apo zhvillimin e veprimtarisë ekonomike të ndërmarrjeve ekzistuese, të cilave ju është refuzuar miratimi i huas në mungesë kolaterali.
Komisioni: Skema është ndihmë shtetërore
Komisioni ka vlerësuar se skema e Bashkisë përmban ekzistencë të ndihmës shtetërore.
Sipas ligjit për “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, masa përbën ndihmë shtetërore, nëse përmbushen në mënyrë kumulative kushtet: a) aktivizohen burime shtetërore; b) jepet një avantazh ekonomik; dhe c) sjell pasoja mbi konkurrencën.
Në dokumentet e konkurrimit, bankat konkurruese për përdorimin e Fondit Bashkiak të Garancisë do të paraqesin propozime, projeksione dhe tregues të performancës nga zbatimi i skemës së kreditimit mbështetur nga Fondi Bashkiak i Garancisë, si numri i bizneseve që trajtohen, numri i bizneseve të reja që do hapen dhe efekte që krijojnë një vlerë të shtuar për ekonominë dhe punësimin në qytetin e Tiranës.
Në kriteret e përzgjedhjes së bankës së nivelit të dytë, janë vendosur si kushte: a) Komision zero (0) për shlyerjen e kredisë para afatit; b) Norma e interesit më e ulët se tregu ekzistues; c. Mbulimi i kolateralit nga ana e Bashkisë të jetë në nivelet 30% – 50% dhe d. Norma interesi të depozitës me nivel më të lartë.
Përsa më lart, në zbatim të nenit 4, të ligjit të ligjit nr. 9374, datë 21.4.2005 “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, Komisioni i Ndihmës Shtetërore vlerëson se Fondi Bashkiak i Garancisë mund të aktivizojë burimeve shtetërore në formën e garancisë mbi kreditë dhe/ose dhënien e kredive me norma interesi të ulëta. Masa është selektive, sepse mbështetja nëpërmjet fondit të garancisë jepet vetëm për bizneset e reja apo ekzistuese, të cilave iu është refuzuar dhënia e kredisë për mungesë kolaterali në sektorë të caktuar. Natyra selektive e masës sjell ndikim në konkurrencë.
Si rrjedhojë, Komisioni ka konstatuar se vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës nr. 20, datë 9.4.2013 “Për zbatimin e programit të zhvillimit ekonomik dhe punësimit “Skema e fondit të garancisë” si dhe miratimin e kritereve dhe procedurave për përzgjedhjen e bankës së nivelit të dytë”, ka miratuar krijimin e fondit bashkiak të garancisë, pa marrë parasysh dispozitat ligjore të ligjit nr. 9374, datë 21.4.2005 “Për ndihmën shtetërore”, të ndryshuar, konkretisht nenin 20 “Njoftimi i ndihmës”, si dhe nenin 4 “Ndalimi i ndihmës shtetërore”, dhe në mungesë të një autorizimi paraprak nga ana e Komisionit të Ndihmës Shtetërore.
Komisioni ka kërkuar që brenda dy muajve nga data e publikimit të këtij vendimi, Bashkia e Tiranës të paraqesë pranë Drejtorisë së Tregut të Brendshëm, në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes informacion plotësues lidhur me:
– Listën e të gjithë përfituesve, të cilët kanë përfituar kredi nëpërmjet fondit bashkiak të garancisë, bashkëlidhur shumën e garancisë për secilin prej tyre.
– Një përshkrim të detajuar për përfitimet që janë krijuar nga zbatimi i skemës së garancisë.
Sipas vendimit, Bashkia e Tiranës duhet të japë çdo informacion shtesë që do të kërkohet për monitorimin dhe kontrollin e ndihmës së dhënë, si edhe për çdo ndryshim të skemës së garancisë.