Qeveria britanike në mëshirë të fatit

10/02/2018 10:03 PM 0 komente

Deti me dallgë i Theresa May mbi Brexit. Qeveria po sulmohet nga të gjitha anët, duke përfshirë këtu edhe sulmin e shumë Euroskeptikëve Konservatorë

 

Cilido që është në dijeni të praktikave të ndjekura nga Bashkimi Europian, mund ta ketë parashikuar lehtësisht se negociatat për t’u larguar prej saj do të ishin të gjata dhe të dhimbshme, shkruan The Economist.

Por, pak mund të kishin parashikuar se qeveria e Theresa May do të tregohej kaq e paaftë në këtë drejtim. Fitorja e një prej betejave në këtë drejtim, arritja e nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel në dhjetor mbi vendosjen e kushteve të ndarjes sipas Nenit 50, u venit shumë shpejt. Në të gjithë BE-në, ajo u kritikua për dështimin në drejtim të mosplotësimit të objektivave që dëshironte të përmbushte për sa u përket marrëdhënieve të ardhshme të tregtisë.

Madje në Londër, shumë nga deputetët e Partisë së saj po komplotojnë për ta mënjanuar atë, sepse mendojnë se ajo nuk është e aftë për postin që gëzon. Sipas saj, fjala e fundit në lidhje me Brexit do të jetë në periudhën e tranzicionit pas marsit, të 2019-s. Dhe pikërisht, kjo duhet të kishte qenë edhe një prej çështjeve që nuk duhej të kishte hasur kundërshtim. Në fjalimin e saj në Firence, shtatorin e vitit të kaluar, znj. May ishte e qartë në atë që ajo i referohej si periudhë “zbatimi” që, sipas saj, do të zgjaste status quo-në, vetëm në rast se Britania humbiste të drejtën e saj për të votuar.

Sipas argumentimit të saj, një proces i tillë ishte i nevojshëm për t’i dhënë biznesit siguri dhe për të shmangur procesin e përshtatjes së tij për herë të dytë. Ajo propozoi se kjo periudhë duhet të jetë e kufizuar në kohë, duke e zgjatur atë në “rreth dy vjet”. Më 29 janar, ministrat e Jashtëm të BE-së miratuan udhëzimet e tyre negociuese për një tranzicion të tillë, duke i lënë Britanisë pak zgjedhje. Gjatë tranzicionit, ajo duhet të qëndrojë brenda tregut të përbashkët dhe të veprojë sipas rregullave doganore të bashkimit. Znj. May do t’i nënshtrohet fuqisë së plotë të legjislacionit të BE-së, duke përfshirë ligjet e reja, por pa bërë asnjë ndryshim në to. Të katër liritë, duke përfshirë edhe lëvizjen e njerëzve, do të vazhdojnë, edhe pse znj. May dëshiron ta kufizojë sa më shumë numrin e emigrantëve që duan të qëndrojnë në Britani. Vendi do t’u nënshtrohet rregullave të Gjykatës Europiane të Drejtësisë.

Për sa i përket afatit, udhëzimet propozojnë një periudhë më të shkurtër se ajo e znj. May, me një periudhë kalimtare që përfundon më 31 dhjetor 2020. Padyshim që kjo periudhë kalimtare do të ketë gracka të ndryshme. Një prej tyre është ajo që do t’i ndodhë qindra marrëveshjeve që BE-ja ka nënshkruar me vendet e treta, duke përfshirë edhe marrëveshjet e saj tregtare. David Davis, sekretari i Brexit, dëshiron të jetë pjesë e tyre dhe pret që edhe BE-ja të pajtohet me një fakt të tillë. Por disa prej këtyre vendeve të treta mund të kërkojnë lëshime në këmbim. Një problem edhe më i madh se ky është se periudha e tranzicionit është tepër e shkurtër për të negociuar dhe për të ratifikuar një marrëveshje të thellë tregtare me BE. Udhëzimet mund ta lënë të hapur mundësinë e zgjatjes së periudhës kalimtare, por disa avokatë thonë se kjo mund të mos jetë e mundur, sepse sipas Nenit 50, situata ka të bëjë me tërheqjen dhe jo qëndrimin.

Megjithatë, çështja më e madhe politike e këtij tranzicioni është pohimi i mbështetësve të Brexit se Britania do të bëhet një “Shtet Vasal”. Sugjerimi i z. Davis në lidhje me faktin se atij duhet t’i jepet mundësia për të kundërshtuar ligjet e reja të BE-së mund të marrë një përkrahje të shkurtër, edhe pse vëzhguesve britanikë mund t’u jepet mundësia për të marrë pjesë në disa grupe pune. Britania do të jetë në një pozicion më të zymtë sesa anëtarët me të drejta të plota të BE-së dhe vendet e Zonës Ekonomike Europiane, të cilat kryesisht operojnë sipas rregullave të BE-së. Një diplomat në Bruksel e krahason tranzicionin me një koloni, diçka mbi të cilën Britania duhet të ketë njohuri të shumta.

Jacob Rees-Mogg, kreu i ri i Grupit Europian të Kërkimit të Deputetëve Euroskeptikë Konservatorë, nuk i pëlqen aq shumë etiketimi i Britanisë si “shtet vasal” dhe sipas tij do të ishte më e ndershme të zgjatej afati dyvjeçar i Nenit 50, edhe pse kjo do të kërkonte arritjen e një marrëveshjeje unanime nga të gjithë anëtarët e BE-së. Ajo do të zgjidhte edhe shqetësimet ligjore dhe ato që mund të lindnin në lidhje me marrëveshjet e nënshkruara me vendet e treta. Por politika ka ndërhyrë në këtë mes. Znj. May mund të jetë e paqartë në lidhje me qëllimet përfundimtare për Brexit, por është e qartë se ajo duhet të jetë në gjendje të thotë se Britania është larguar nga BE-ja më 29 mars 2019. Kjo është në përputhje me hyrjen në një periudhë tranzicioni, por jo me zgjatjen e anëtarësimit, duke zgjeruar Nenin 50.

Por pse pikërisht në këtë moment, mbështetësit e vijës së ashpër të Brexit janë duke krijuar të gjithë këtë “zallamahi” në lidhje me tranzicionin? Në fund të fundit, siç tregon edhe Jonathan Lis nga institucioni “British Influence”, kushtet e vendosura kanë qenë të qarta që nga takimi i mbajtur në Firence. Dhe përgjigjja për këtë pyetje mund të jetë vetëm sepse mbështetësit e vijës së ashpër të Brexit po shqetësohen gjithnjë e më shumë për drejtimin që po marrin negociatat e Brexit. Shumë prej tyre i frikësohen faktit se znj. May po shkon drejt një Brexit më të butë, në krahasim me atë që ajo ka deklaruar në Lancaster House, pak më shumë se një vit më parë. Z. Rees-Mogg e ka akuzuar qeverinë se është e frikësuar nga BE-ja.

Mbështetësit e Brexit shqetësohen për pasojat e premtimit të bërë në dhjetor nga Britania, në lidhje me mospasjen e kontrolleve kufitare në Irlandën e Veriut. Një Eurokrat e quan këtë “të pazbatueshme” nëse znj. May nuk do të tolerojë aspak në lidhje me vendimet e saj për të lënë tregun e përbashkët dhe bashkimin doganor. Mbështetësit e Brexit, gjithashtu e dinë se BE-ja nuk impresionohet nga bisedimet për divergjencën rregullatore selektive, të cilat ajo i sheh si qershia mbi tortë dhe dëshiron të zbatojë një nivel loje të barabartë për konkurrencën. Ata e dinë që bizneset e mëdha dëshirojnë të operojnë në përputhje me rregulloret e BE-së dhe të qëndrojnë brenda bashkimit doganor.

Edhe pse ata i hodhën poshtë disa prej lajmeve të publikuara në faqen online BuzzFeed, ku ishte shkruar se çdo model i Brexit do të ngadalësonte rritjen ekonomike, disa duhet me të vërtetë të shqetësohen se kësaj here, këto parashikime mund të jenë edhe të vërteta. Por më alarmuese është çështja se marrëveshjet tregtare me vendet e treta do të ndikojë fare pak për të kompensuar marrëveshjet tregtare të humbura me BE-në. Përgjigjja e mbështetësve të Brexit, ka qenë krijimi i një akronimi në lidhje me diçka të cilën ata janë të vendosur për ta parandaluar: BRINO, ose thjesht Brexit. Të shumtë ishin ata të cilët u zemëruan kur kancelari Philip Hammond u tha udhëheqësve të biznesit në Davos se, edhe pse Britania mund të dalë nga BE-ja, dallimet do të ishin “shumë modeste”.

Sipas një deklarate të bërë nga zyra e shtypit e znj. May, largimi nga tregu i vetëm dhe bashkimi doganor nuk mund të përshkruheshin dhe cilësoheshin si hapa modestë. Por tashmë mbështetësit e Brexit e kanë nw anwn e tyre z. Hammond dhe ndoshta znj. May dhe këshilltarin e saj, Olly Robbins. Situata në Parlament është e trazuar. Javën e kaluar, Shtëpia e Lordëve nisi debatin mbi faturën e tërheqjes së BE-së. Numri i konservatorëve që kritikuan pushtetin e ekzagjeruar që ajo i jep qeverisë ishte i madh. Të tjerë i bënë thirrje znj. May që të jetë më e qartë për qëllimet e saj përfundimtare. Shumë anëtarë të Parlamentit presin që konservatorët të dalin keq në zgjedhjet lokale të majit, veçanërisht në Londrën, Anti-Brexit.

Kryeministrja mund t’i mbijetojë ende edhe të gjitha komploteve që po thuren kundër saj, dhe kjo edhe për arsyen e thjeshtë sepse ajo nuk ka asnjë pasardhës të dukshëm. Megjithatë ekziston rreziku që Parlamenti të mos miratojë asnjë marrëveshje të Brexit që ajo mund të arrijë këtë vjeshtë. Frika më e madhe për mbështetësit e Brexit nuk është dalja nga BE-ja me anë të një Brexit të butë por frika që znj. May të mos arrijë të nënshkruajë asnjë lloj Brexit, as të vijës së ashpër dhe as të vijës së butë.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz