Parlamenti kroat ka miratuar qeverinë e re të formuar nga aleanca e qendrës së djathtë dhe udhëhequr nga kryeministri teknokrat, Tihomir Oreskoviç.
Detyrat parimore të kabinetit për anëtarin e ri të Bashkimit Europian do të synojnë të frenojnë rritjen e borxhit publik, të reduktojnë papunësinë e lartë dhe të nxisin rritjen anemike që u shfaq në vitin 2015 pas recesionit 6-vjeçar.
Oreskovic tha se qëllimi i qeverisë së tij do të kishte në fokus ngushtimin e hendekut buxhetor në kufijtë e tavanit prej 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të BE-së nga rreth 5% dhe se shpreson të sigurojë një vlerësim të mirë të kreditimit.
“Qëllimi ynë është të arrijmë rritje prej mbi 4% deri në vitin 2020 dhe të reduktojmë borxhin publik nën 80% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ne duam të reduktojmë hendekun e buxhetit nën 3% të PBB-së në vitin 2017 dhe të rrisim renditjen e kreditimit për vitin e ardhshëm”, tha ai. “Gjithçka që kërkoj është kohë dhe rezultate”. Ekonomia kroate është nga më të dobëtat e Europës edhe pse parashikohet një rritje prej 1.5% për 2015 pas gjashtë vjet recesion. Borxhi publik është ekuivalent në 87% të PBB-së dhe po rritet ndërsa norma e papunësisë qëndron në 17.9%.
Vendi është renditur në BB+ ose ekuivalent, fare pak nën shkallën e padëshiruar të investimeve, nga të tre agjencitë e mëdha të klasifikimit të kredive, megjithëse me një perspektivë negative.
Oreskovic, teknokrati 49-vjeçar i cili ka lindur në Zagreb, por që është rritur dhe edukuar në Kanada, u emërua si kryeministër nga konservatorja HDZ dhe shumica e partive të vogla reformatore pas disa javësh bisedime që pasuan zgjedhjet jobindëse të 8 nëntorit.
“Kjo qeveri do të jetë gati të marrë vendime të vështira”, tha Oreskovic. “Ne duam ta bëjmë administratën publike më efikase, të reduktojmë burokracinë, të lehtësojmë të bërit biznes dhe të reformojmë sektorët edukativë dhe të shëndetit”.
Ai tha se qeveria do të investojë në energji, turizëm dhe infrastrukturë, pjesërisht duke tërhequr rreth 1 miliard euro (1.08 miliardë dollarë) në vit nga fondet e zhvillimit të BE-së, dhe se ka në plan të privatizojë asetet jostrategjike dhe pronat e pashfrytëzuara tatimore.
“Ne gjithashtu kemi nevojë për stabilitet në sistemin tatimor dhe politikën monetare”, tha Oreskovic, i cili më parë ka shërbyer si financier në një kompani izraelite farmaceutike. Ai u takua me një sërë investitorësh që zotërojnë borxh kroat në Austri, duke i referuar atyre se qëllimi i qeverisë konsistonte në reduktimin e borxhit dhe deficitit.
Kroacia duhet të miratojë buxhetin e vitit 2016 deri në fund të marsit.
“Është e qartë se detyrat kyçe në pritje të kabinetit të ri janë stabilizimi i borxhit publik dhe përmirësimi i klimës së investimeve”, tha analisti ekonomik, Damir Novotny.
“Për këtë qeveria duhet të tregojë vullnet politik, dhe ne do të shohim së shpejti në buxhetin e 2016, nëse një vullnet i tillë ekziston apo jo”.
Ka nga ata analistë që vunë në pikëpyetje stabilitetin afatgjatë të qeverisë dhe thanë se ka pasur mungesë të detajeve mbi politikat e tjera, si mirëqenia, arsimimi ose të drejtat qytetare.
“Kjo qeveri nuk është shfaqur si rezultat i një programi koherent politik dhe ekonomik, por është më tepër një grup individësh që i duhet ende të organizojë axhendën e tij”.
Në këtë kontekst, është e vështirë të thuhet nëse ata do të formojnë një ekip të mirë”, -tha analisti politik, Berto Salaj. Reuters