Këtë të enjte është çelur tenderi për dhënien me koncesion të Rrugës së Arbrit. Njoftimi është bërë publik në faqen zyrtare të Agjencisë së Prokurimeve Publike, ku mësohet se data përfundimtare për pranimin e ofertave është 2 tetori.
Objekti i tenderit është dhënie me Koncesion apo Partneritet Publik Privat për Përmirësimin, Ndërtimin dhe Mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit. Ndërsa fondi limit i vënë në dispozicion nga Ministria e Transporteve si Autoritet
Kontraktues, përmes projektit “1 miliard euro”, është 33 miliardë e 600 milionë lekë.
Fituesi do të përzgjidhet në bazë të 5 kritereve, ku përfshihet: propozimi teknik për ndërtimin e rrugës dhe mirëmbajtjes, ndikimi mjedisor, ndikimi social, afati i përfundimit të punimeve dhe oferta financiare.
Megjithatë, përparësi në këtë projekt do të ketë kompania “Gjoka Konstruksion”, e cila ka paraqitur ofertën për të ndërtuar këtë rrugë në nëntor të vitit të kaluar. Këshilli i Ministrave e ka shpërblyer këtë kompani me një bonus prej 10% të pikëve.
Rruga e Arbrit konsiderohet aktualisht e përfunduar plotësisht në 20.12 kilometra të saj, me 15.175 kilometra shtesë të përfunduara pjesërisht dhe 26.372 km të tjera për t’u ndërtuar sipas projektit ekzistues.
Gjatësia e aksit që nis në Tiranë dhe përfundon në Bllatë, sipas studimit të fizibilitetit pritet të jetë afërsisht 73.5 km.
/Abc News
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.