Qeveria e Kosovës së shpejti pritet të marrë vendimin për pushimin e tatimeve për investimet e reja, prej 3 deri në 7 vjet varësisht nga vlera e investimeve dhe numri i të punësuarve. Ky hap, ndonëse i vonuar, pritet të ndikojë në nxitjen e investimeve të reja në Kosovë, thonë zyrtarët. Kurse njohës të çështjeve ekonomike thonë se autoritetet duhet të fokusohen më shumë tek siguria e investimeve.
Me qëllim të nxitjes së investimeve të reja në Kosovë qeveria e vendit së shpejti do të marrë vendim për pushimin e tatimeve për periudha të ndryshme, varësisht nga vlera e investimeve dhe numri i personave që do të punësojnë.
Kryeshefi i Agjencisë për promovimin e investimeve në ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Valdin Lluka, thotë për Radio Kosovën se këtë propozim e kanë bërë në Ministrinë e Financave para tre vjetësh, dhe ai është hap mjaft i mirë për tërheqjen e investimeve. “Është përfundimisht një lajm shumë i mirëpritur për ne, sepse ndonëse pak i vonuar, duke konsideruar që ka shtete në rajon që e kanë që disa vite këtë mjet promovues, sidoqoftë do të na ndihmojë ne që ta përdorim si një mjet shtesë, mbi atë që kemi tash edhe zonat e lira ekonomike, që të bëjmë një punë më të mirë për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë”, thotë Lluka.
Investitorët që investojnë prej 2 deri në 10 milionë euro dhe që krijojnë prej 30 deri në 150 vende pune do të lirohen nga tatimet për periudhën prej 3 deri në 7 vjet. Propozimi është dërguar në qeveri, thotë Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit të financave.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.