Qeveria vendosi të mbështesë biznesin fason, duke i rikthyer tatimfitimin prej 5 %.
“Vendimi i parë, vjen në vijim të masave dhe reformave të ndërmarra gjatë vitit tonë të parë në qeverisje, për të stimuluar zhvillimin ekonomik, e posaçërisht rritjen e punësimit. Bëhet fjalë për një thellim të mëtejshëm të angazhimit tonë në mbështetje të industrisë fasone, përmes fuqizimit financiar të iniciativës së qeverisë në paketën për Mbështetjen e Industrisë Fasone duke i rikthyer kësaj industrie në formën e një fondi tatim fitimin prej 5%.”, u shpreh zv.kryeministri Niko Peleshi.
Fondi i krijuar përmes këtij vendimi prej 250 milionë lekësh, do t’i kalojë buxhetit të Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Bëhet e ditur se fondi i krijuar nga tatim fitimi i industrisë fasone do të planifikohet në programin e shpenzimeve buxhetore të MMSR ndërkohë që shuma që do të derdhet në këtë fond do të përcaktohet në mënyrë vjetore nga Ministria e Financave.
“Risia tjetër e kësaj skeme është se ajo do të shërbejë si boshti i një iniciative më të gjerë, pasi synimi është që atij t’i shtohen të gjitha linjat e financimit nga donatorë të brendshëm e të jashtëm që operojnë në fushën e nxitjes së punësimit dhe zhvillimit të aftësive profesionale. Programet e mbështetura prej tij përfshijnë programe për nxitjen e punesimit dhe programe të formimit profesional.’, u shpreh Peleshi.
Industria fasone është ndër më të rëndësishmet në vendin tonë, nga ku eksportet teksile të këpuceve përbëjne 33% të totalit të eksporteve,
Këtë vit ka qenë sektori që ka udhëhequr rritjen më të theksuar ekonomike. Vlerësohet se , si direkt dhe indirekt, punëson deri në 100 mijë individë.
Industria i ka paraqitur qeverisë prej kohësh një sërë kërkesash për lehtësim, një ndër të cilave ka qenë edhe ulja e tatimfitimit prej 5 %.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.