Tregu i pazhvilluar i telefonisë në Kosovë krijon fitim të lartë për PTK-në. Qeveria e Kosovës vlerëson se PTK ka një fitim prej 48 milion euro për shkak të pozitës monopol. Serbët e Mobtel-it vazhdojnë të mos paguajnë taksat. UNMIK mban pezull licencën e operatorit të dytë celular.Sapo ndërmarrja më fitimiprurëse në Kosovë, Posta dhe Telekomi i Kosovës (PTK) bëri publike llogarinë financiare të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës nisi pretendimet.PTK-ja tregoi se ka një fitim prej 48 milion euro, kurse ministri i financave Haki Shatri menjëherë deklaroi se ky ekstra fitim duhet të ngarkohet me ekstra-tatim. Kërkesa e tij, e cila është miratuar nga Qeveria e Kosovës, ka gjetur edhe përkrahjen e Këshillit Ekonomik e Fiskal. Tani nuk ka mbetur tjetër veç hartimi i bazës ligjore dhe përcaktimi i shkallës së tatimit.Ku janë paratë?”Fitimet që ka PTK-ja i ka krijuar në rrethanat monopolistike në treg, ndaj edhe ajo duhet të ngarkohet me tatim shtesë. Ne nuk bëjmë asgjë të posaçme me këtë rast, veçse tentojmë të zbatojmë modalitetet e njohura gjithkund në botë”, thotë Haki Shatri, ministër i Ekonomisë dhe i Financave. Këtë kërkesë mbështet edhe Anton Berishaj, kryetar i Bordit të Autoritet Rregullativ të Telekomunikacionit. “Madje, PTK duhet të ndëshkohet pse nuk ka përmbushur edhe disa kushte që i janë caktuar kur u licencua”, shprehet Berishaj.Në fund të vitit PTK-ja deklaroi fitim para tatimit 63 milion euro, që është 21% më i lartë se në vitin 2003. Pas tatimit, asaj i mbetën afër 48 milion euro. Gjatë kësaj periudhe, të hyrat operative të PTK-së ishin 128.5 milion euro, ose 8.1% më të larta se një vit më parë. Mirëpo, më shqetësues është fakti se paratë e pashfrytëzuara janë në rritje të vazhdueshme. Ato tani kanë arritur në 207 milion euro, sadoqë përmenden shumë projekte zhvillimi, të cilat ngecin në vite. “Ne llogarisim një sukses të madh të PTK-së për faktin se ajo është në zgjerim, është në fazën e përgatitjes për konkurrencë dhe do të jetë një shoqëri e qëndrueshme financiarisht”, ka komentuar Gavin Jeffrey, drejtues i PTK-së pa u ndalur shumë në faktin se mjetet e kësaj shoqërie me vite të tëra qëndrojnë si depozita të pashfrytëzuara prej saj.Nga ana tjetër, Agjencioni Kosovar i Mirëbesimit, i cili administron PTK-në, flet për 550 milion euro që duhet të investohen në këtë shoqëri brenda tri vjetësh. “Ne kemi projekte të gatshme. Fakti se duhet të investojmë 550 milion euro tragon se PTK-ja nuk do të ketë mjete që ti financojë vetë ato. Mirë ka bërë që paratë i ka ruajtur deri më tani”, thotë Paull Nelles, kryetar i Këshillit Mbikëqyrës të PTK-së, njëherësh edhe zyrtar i lartë i AKM-së. Monopoli i PTK-së dhe konkurrenca me serbët PTK-ja është i vetmi operator i telefonisë së lëvizshme dhe asaj fikse në Kosovë. Ajo nuk përballet me konkurrencën, prandaj i dikton vetë rregullat e lojës në treg, sadoqë kjo është kompetencë e Autoritetit Rregullativ të Telekomunikacionit. “Ne nuk mund të bëjmë diçka më shumë përderisa nuk bëjmë liberalizimin e tregut. Përkatësisht nuk kemi më shumë se një operator dhe nuk është krijuar ambienti për konkurrencë”, thotë Anton Berisha. Berisha duke cituar një raport të Komisionit Europian thotë se Kosova ka shkallën më të ulët të zhvillimit të rrjetit të telekomunikacionit, mundësi shumë të ulëta për përdorimin e internetit, shërbime shumë të dobëta, por në të njëjtën kohë ka tarifa më të larta për shërbimet që ofrohen.”Këto i sjell monopoli. Ne kemi këmbëngulur që të kemi edhe operatorin e dytë. Kemi shpallur tenderin dhe është përcaktuar fituesi, i kemi nënshkruar licencën, por të gjitha i ka anuluar UNMIK-u, pa dhënë ndonjë arsyetim të qëndrueshëm. Për ne operatori i dytë është konsorciumi Mobikos. Ata tani duhet ti zgjidhin mosmarrëveshjet me UNMIK-un, qoftë edhe përmes gjyqit”, thotë kryetari i Këshillit të ART-së.Një pjesë e Kosovës është e mbuluar nga operatori serb “Mobtel”, për të cilin qeveria thotë se vepron në mënyrë ilegale, përkatësisht nuk është i licencuar dhe nuk paguan asnjë tatim. Nga ana tjetër, UNMIK-u pranon ilegalitetin. Ajo, sipas ndërkombëtarëve ka licencë edhe për njëzet vjetët e ardhshëm.”Ne nuk jemi fajtor për gjendjen aktuale në tregun e telekomunikacionit. Ne jemi vetëm pjesë e këtij tregu. Për liberalizimin e tij dhe për krijimin e konkurrencës përgjegjës është dikush tjetër”, shpegon Seremb Gjergji, zëdhënës i PTK-së. Madje, sipas tij, PTK-ja ka konkurrente. Ajo është shoqëria serbe “Mobtel”. “Se a është legal, apo ilegal, për këtë duhet të kujdeset dikush tjetër. Ne dimë se ajo mbulon një pjesë të madhe të Kosovës dhe e kemi konkurrente të drejtpërdrejtë në telefoninë e lëvizshme”, shton Gjergji.Nga ana tjetër, autoritetet kosovare më shumë bëjnë zhurmë se kanë mundësi reale që operatorin serb ta futin nën kontroll, apo të ndalojnë veprimin e tij në këtë hapësirë. “Ne jemi duke grumbulluar të dhëna për vëllimin e punës së Mobtel në Kosovë, si edhe për detyrimet tatimore që ka. Do tia dërgojmë faturën, e nëse nuk i përmbush këto detyrime do tia konfiskojmë pasurinë, qoftë edhe antenat shpërndarëse”, thotë Mustafë Hasani, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që në adresë të “Mobtelit” drejtohen kërcënime të tilla. “Ne në Kosovë veprojmë në bazë të normave që na ka krijuar UNMIK-u, por sipas të drejtës që kemi fituar para dhjetë vjetësh”, ishte komenti i shkurtër i biznesmenit serb me prejardhje kosovare Bogolub Kariq, i cili shton se shoqërinë e tij “Mobtel” tani ia ka shitur një shoqërie austriake.BT partner strategjik i PTK-sëBritish Telecom është zgjedhur partner srategjik i PTK-së. Në fazën e parë britanikët do të jenë më shumë si këshillues. “Jemi të lumtur se për partner strategjik kemi një shoqëri të njohur në tregun e telekomunikacionit në Botë. BT me përvojën që ka do të ndihmojë në përparimin e shërbimeve tona, si në vëllim, ashtu edhe në përmbajtjen e pakos së ofertës”, ishte komenti i shkurtër i drejtuesit të PTK-së, Gavin Jefrey.Kosova pa kod ndërkombëtarDuket se ITU-ja nuk është e gatshme të caktojë një kod ndërkombëtar të telefonisë për Kosovën. Lajmin e ka konfirmuar edhe Anton Berishaj, kryetar i Këshillit të ART-së. Sipas disa deklaratave, kjo ka ndodhur pas kundështimeve të ashpra nga përfaqësuesit e Kinës dhe të Rusisë. “Poqese ndodh kjo, atëherë UNMIK-u ka edhe një arsye më shumë të bllokojë licencën e dytë të telefonisë së lëvizshme”, ishte komenti i shkurtër i Anton Berishaj rreth kësaj çështje.A dështoi “Dardaneti”?PTK-ja ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me operatorin e shërbimeve të internetit “IpkoNet”. Një marrëveshje e tillë ka befasuar “Dardanetin”, i themeluar për shërbime të internetit. Mirëpo njohësit e tregut në Kosovë thonë se prapa marrëveshjes së nënshkruar qëndron fakti se PTK-ja do të blejë “IpkoNetin”. “Dardaneti ka dështuar për shkak të politikës që ka udhëhequr PTK-ja”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.