Projektet e nënbuxhetuara të investimeve publike vazhdojnë të paraqesin rreziqe të mëdha fiskale, thuhet në raportimin e fundit që ministri i Financave, Arben Ahmetaj, dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë kanë bërë për Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Si pjesë e dokumentacionit të buxhetit 2017 të paraqitur në Parlament, Ministria e Financave ka publikuar një listë të të gjitha projekteve që buxheti i 2017 do të mbështesë, në përputhje me kornizën afatmesme buxhetore (KAB).
Ahmetaj ka sqaruar FMN-në se, financimi i këtyre projekteve është ndarë në një periudhë shumëvjeçare dhe se shumë nga këto projekte janë të mbartura që para 2013. Më herët, Ministria e Financave kishte sqaruar se investimet e vitit 2017 në 80 për qind e tyre shkojnë për financimin e projekteve të vjetra.
Ministria e Financave ka shpjeguar për Fondin se në bashkëpunim me Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH) mbikëqyren punimet në terren në mënyrë që të jenë në përputhje me financimet vjetore nga buxheti.
Ministria e Transportit i ka paraqitur Komitetit të Planifikimit Strategjik një plan financimi pesëvjeçar për të gjitha projektet me prioritet të investimeve të nënbuxhetuara. Së fundmi, një njësi e auditit do të jetë funksionale këtë vit dhe do të ketë në fokus monitorimin e projekteve të mëdha të investimeve.
Gjithashtu së shpejti, Ministria e Transportit do të azhurnojë rezultatet e një inspektimi për borxhet e krijuara rishtazi në kontratat e punimeve.
Në vetëm në 10 muaj, janar-31 tetor 2016, borxhi i akumuluar rishtas ndaj investimeve publike arriti në 3.3 miliardë lekë ose 24 milionë euro. Më shumë se 75% të këtyre detyrimeve u përkasin kontratave të papaguara në rrugë. Megjithatë borxhi i prapambetur mund të jetë edhe më i lartë, pasi në monitorim për detyrimet e krijuara rishtas janë vetëm 16 ente publike, teksa qindra të tjera që kryejnë shpenzime nuk janë përfshirë në raportim.
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës raportoi që detyrimet për periudhën nga janar -31 tetor 2016 janë në vlerën 2, 5 miliardë lekë të krijuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës-Kanalizimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.