Qeveria e ka lëshuar dorën me shpenzimet në shtatë muajt e këtij viti, e nxitur edhe nga performanca më pozitive e të ardhurave.
Sipas statistikave të Ministrisë së Financave, totali i shpenzimeve buxhetore ishte 245 miliardë lekë për periudhën janar-korrik 2017, me një rritje të fortë prej 29 miliardë lekësh, ose 13.5% më shumë.
Kjo rritje vjen teksa vitin e kaluar, financat e kishin rrudhur dorën dhe i kishin ulur shpenzimet me gati 24 miliardë lekë në raport me janar-korrik 2015.
Megjithatë, në raport me planin, shpenzimet ishin rreth 4 miliardë lekë më pak.
Zërat kryesorë që kanë ndikuar në këtë shtim të shpenzimeve janë fondet speciale (pagesat nga buxheti për subvencionimin e pensioneve), që janë zgjeruar me 9.7 miliardë lekë dhe shpenzimet për buxhetin vendor, që janë rritur me 51% (+9.7 miliardë lekë).
Ndërkohë, pagesa e papunësisë është ulur me 45% (nga 406 milionë lekë në 220 milionë lekë, ose gjysma e shumës së planifikuar), ndërsa ndihma ekonomike është rritur me 12% (nga 10. 1 miliardë lekë në 11.4 miliardë lekë).
Shpenzimet kapitale ishin 29 miliardë lekë, me rritje prej 35% në raport me 7-mujorin e vitit të kaluar, megjithatë ato ishin 6 miliardë lekë, ose 46 milionë euro më pak sesa plani i parashikuar në fillim të vitit. Për të disatin vit radhazi, nuk arrin të realizohet plani i shpenzimeve kapitale, që nënkupton më pak para të hedhura në ekonomi për rrugë, spitale, shkolla etj.
Rritja e shpejtë e të ardhurave dhe tejkalimi i planit të fillimvitit me 7.8 miliardë lekë, ka bërë që pavarësisht shtimit të shpenzimeve, buxheti të vijojë të jetë me suficit edhe për 7 -mujorin. Megjithatë, niveli i suficitit është ulur ndjeshëm, nga 17 miliardë lekë një vit më parë, në rreth 2.9 miliardë lekë për janar-korrik 2017.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.