Gjatë takimit “Dialog, pergjegjesi, partneritet”, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes me biznese të rëndësishme në vend, kryefjala ka qenë kriza ekonomiek që po kalon vendi dhe mënyrat se si mund të dilet prej saj.
Të gjithë drejtuesit e rinj të qeverisë, Ahmetaj i MInistrisë së Ekonomisë, Cani i Financave dhe Haxhinasto i Transporteve kanë pohuara se situata është e vështirë. Megjithatë, Shkëlqim Cani i financave tha se ajo është e përballueshme. “Kemi projektin, kemi komunikuar vazhdimisht për të realizuar atë që kemi premtuar që në fillim. Do të shkojmë në Bruksel, e dimë që makina jonë ka plot defekte, nuk na ka kapur paniku, do ta vazhdojmë rrugën drejt Brukselit, do të riparojmë makinën. Jemi të vendosur për të shkuar në Bruksel”, tha ai.
Edhe kryeministri Edi Rama pohoi se Shqipëria është në krizën e vet më të thellë pas asaj të 1997. “Flasin shifrat, faktet, por më shumë flasin plagët në trupin e çdo sipërmarrje që jeton jashtë oborrit të pushtetit të deridjeshëm që e trasnformoi marrëdhënien e biznesit në një marrëdhënie force, dhunë, arbitrariteti. Dhe e transportoi marrëdhënien e qeverisë me ekonominë e këtij vendi në një marrëdhënie perverse. Sot jemi pa buxhet dhe me një sipërmarrje të bllokuar, pasi kemi një ekonomi të bllokuar, e ndarë më dysh në ekonomi të shtetit dhe ekonomi të kulakëve. Qeveria nuk është shteti është vetëm një pjesë e tij. Mbi ketë pikëpamje unë do të drejtoj gjithë betejën e ardhshme kundër krizës dhe kalimin në një fazë të re të ekonomisë sonë. Besoj se jemi të gjithë bashkë në të njëjtën anije. Anija nuk mbytet vetëm për një pjesë, por për të gjithë bashkë. Në këtë anije qeveria dhe sipërmarrja janë bashkë. Kjo anije duhet nxjerrë në ujëra të qeta duke kapërcyer dallgët e mëdha që kemi sot, dhe ato ende më të mëdha që kemi përparuar,”- tha kryeministri, duke shtuar se do të shlyente borxhet e biznesit.
“Nuk dimë se kush është borxhi real dhe nuk jemi në gjendje të themi se kush është inventari i problemeve të akumuluara. Një gjë është e sigurt, që çfarë borxhi kemi do ta shlyejmë. Është borxh i shtetit, Sigurisht nuk e kemi krijuar ne dhe është borxhi i një papërgjegjshmërie lapidare, por kjo s’ka rëndësi, ne jemi qeveria dhe ju se keni bërë kontratën me individë dhe nuk jam individi tjetër që them shkoni kërkoni atij . Do i shlyejmë të gjithë borxhet ndaj jush. Pikë,” tha Rama.
Ministri i Zhvillimit të Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, ia ka faturuar qeverisë së mëparshme krizën që po kalon vendi dhe jo situatës në rajon apo Europë. ” Për ekonominë shqiptare ky moment është kyç, jo thjesht për situatën tejet të vështirë ekonomike, buxhetore e financiare. Ekonomia shqiptare shikon remitancat nga emigrantët. Ne akoma nuk jemi një ekonomi që ka aktivitet eksporti të fuqishëm që të garantojnë zhvillim. Po kështu nevojiten investime të drejtpërdrejta të huaja. Këtë situatë ekonomike ne e gjetëm dhe kemi detyrim historik, qeverisës, dhe transparence për të treguar si e gjetëm situatën. Jo vetëm për të treguar se çka bërë qeveria e kaluar, por për të treguar çmund të bëjmë edhe duke kursyer. “Prisnin rritje ekonomike 3.5 % por rritja ekonomike është shumë afër zero, është ndalur kjo ekonomi nuk mund të sigurojë punësim. Jemi gati te 1/3 e objektivit për të arritur rritje prej 4%. Kriza shqiptare është krizë e keqqeverisjes, jo e ndikuar nga kriza e vendeve fqinje. Nga këtu duhet të fillojë përmirësimi i situatës. Të ardhurat në buxhetin e shtetit janë nga më të ulëtat, krahasuar me vitin 1997. Kreditë e këqija po kapin nivelin 25 %,” tha Ahmetaj.
Ahmetak shtoi se me iniciativën e Kryeministrit në krye të 20 ditëve do të jetë takimi i parë i Këshillit Ekonomik Kombëtar.
Ndërsa Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto e ka vënë theksin në çmimet e larta në sektorin ajror. “Në transportin ajror kemi çmime shumë të larta krahasuar me rajonin, dhe cilësia e shërbimeve që ofrohen është i ulët. Hekurudha gjithashtu, është lënë e lirë, pa asnjë investim, edhe pse mund të jetë një sektor i rëndësishëm për rritjen e konkurrueshmërisë dhe rritjes ekonomike. Në sektorin e furnizimit me ujë, jemi ende 20 % larg furnizimit me ujë të qytetarëve”, u shpreh ministri i Transporteve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.