E PERDITESUAR /Qeveria shqiptare miratoi marrëveshjen për heqjen e tatimit të dyfishtë, për të ardhurat e kapitalin dhe parandalimin e evazionit fiskal me Kosovën.
Në përfundim të mbledhjes së qeverisë, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani deklaroi sot se marrëveshja është në kuadër të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe se ajo është në dobi të biznesve të të dy vendeve.
“Për të gjithë ata biznesmenë që zhvillojnë aktivitet në të dy vendet, rritet besimi dhe siguria. Marrëveshja lejon që personat që ushtrojë aktivitet ekonomik në të dy vendet, në Kosovë dhe Shqipëri, të tatohen vetëm në njërin vend, sa i takon tatimit mbi të ardhurat e kapitalin”, informoi ministri Cani.
Kjo marrëveshje, tha ai, është në kuadër të zotimeve që kemi marrë lidhur me integrimin e ekonomive të dy vendeve, gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në Prizren.
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR SHMANGIEN E TATIMIT TË DYFISHTË PËR TATIMET MBI TË ARDHURAT DHE MBI KAPITALIN DHE PËR PARANDALIMIN E EVAZIONIT FISKAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për shmangien e tatimit të dyfishtë për tatimet mbi të ardhurat dhe mbi kapitalin dhe për parandalimin e evazionit fiskal, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.