Këshilli i Ministrave ka miratuar sot vendimin që ndalon importin e automjeteve që janë të përdorura më shumë se 10 vjet, i cili hyn në fuqi 30 ditë pas miratimit në Fletoren Zyrtare. Mjetet e reja që do të hyjnë duhet të përmbushin normën Euro 5, si për makinat ashtu dhe kamionët, ndërsa autoveturat e përdorura, që përmbushin normën Euro 4, duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.
Në raport me draft vendimin, është lënë më shumë kohë për regjistrimin e automjeteve që tashmë kanë hyrë në Shqipëri dhe janë të përdorura mbi 10 vjet. Tashmë afati i fundit ëhstë 1 marsi 2019 dhe jo 31 dhjetori 2018.
Sipas vendimit, lejohen të regjistrohen për herë të parë për qarkullim në territorin e Republikës së Shqipërisë, mjetet motorike dhe automjetet, të cilat plotësojnë kushtet e mëposhtme:
- Autoveturat e reja me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5, të Bashkimit Evropian;
- Mjetet motorike të tjera të reja si motorë, autobusë, kamionë të kategorive M2 dhe N1, me zero km dhe që nuk janë regjistruar më parë për qarkullim në asnjë shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 5, të Bashkimit Evropian;
- Autoveturat e përdorura (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 4) duhet të jenë prodhuar jo me shumë se 10 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri;
ç) Mjetet motorike të tjera të përdorura si motorë, autobusë, kamionë, të kategorive M2 dhe N1, (të gjitha ato që nuk janë me zero km dhe që janë regjistruar më parë për qarkullim në rrugë në një shtet tjetër, të cilat përmbushin normën EURO 3) duhet të jenë prodhuar jo më shumë se 15 vjet para datës së regjistrimit të parë në Shqipëri.
Vendimi përcakton se automjetet të cilat kanë hyrë në territorin shqiptar para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, por nuk kanë përfunduar procedurat e regjistrimit, kanë afat deri në 1 mars 2019, për kryerjen e procedurave të nevojshme.
Ky vendim nuk zbatohet për importin e:
- Automjeteve të hershme me interes historik dhe koleksionimi, siç janë:
- automjetet e prodhuara deri në dhjetor 1970;
- automjetet e prezantuara si model i prodhimit deri më 31 dhjetor 1970, pavarësisht vitit aktual të prodhimit të një automjeti të veçantë;
- automjetet, të cilat paraqesin vlera teknike muzeale apo kulturore, trashëgimi tradicionale dhe sociale.
- b) Mjeteve motorike, të cilat janë të importuara nga subjekte fizike e juridike, me qëllim ndihmën humanitare, në përputhje me legjislacionin kombëtar që rregullon donacionet dhe ndihmat humanitare.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.