Pas kalimit të turizmit nga Ministria e Territorit te Zhvillimi Ekonomik emri i Ministrisë së drejtuar nga Ahmetaj u zgjat në Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes ndërkohë që Ministria e drejtuar nga Gjermeni mbeti vetëm për territorin. Qeveria në mbledhjen e fundit ka marrë dy vendime duke ndryshuar emrat e Ministrive dhe përgjegjësitë. Kështu Ministria e Zhvillimit urban do ta ushtroj veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore:
- Fushën e planifikimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm urban, administrimit të tokës dhe kontrollit të zhvillimit të territorit;
- Fushën e legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të zonave e ndërtimeve informale;
- Fushën e standardeve urbane në ndërtim;
- Fushën e strehimit;
- Fushën e mbetjeve urbane në lidhje me planifikimin territorial;
- Fushën e menaxhimit të projekteve të zhvillimit urban.”.
Ndërkohë që Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes përgatit dhe zbaton politikat e qeverisë në sferën ekonomike, të turizmit, të tregtisë dhe të sipërmarrjes për ndërtimin e një modeli të ri ekonomik, me synim rritjen ekonomike, të lartë e të qëndrueshme në Shqipëri. Ajo harton dhe zbaton politika të integruara ekonomike në sektorët parësorë të ekonomisë, turizmit, konvergjimit ekonomiko-social të rajoneve të vendit, përmirësimit të klimës dhe shërbimeve për biznesin dhe sipërmarrjen.”.
Për turizmin Ministrisë së Ahmetajt i është shtuar funksioni që të hartojë dhe të zbatojë politika për një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit, nëpërmjet nxitjes së investimeve në fushën e turizmit, ngritjes dhe monitorimit të sistemit të standardeve në turizëm dhe edukimit në vazhdim të biznesit në fushën e turizmit, promovimit të produktit dhe destinacioneve turistike, koordinimit dhe bashkëpunimit me strukturat shtetërore, pushtetin vendor, dhe funksione të tjera, të cilat do të mbulohen nga institucionet e varësisë, aparati i ministrisë dhe degët territoriale.
Detyra të tjera të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik lidhen me kontrollin mbi ndryshimet e regjimit tregtar mbi eksport-importet dhe të ndjekë në vazhdimësi procesin e krijimit dhe monitorimit të zonave ekonomike.
Kjo Ministri duhet të sigurojë në kohë dhe në mënyrë profesionale informacionet e nevojshme dhe të kërkuara lidhur me zbatimin e politikave dhe objektivave të sektorit; të kontribojë dhe monitorojë në bashkëpunimin edhe me institucionet e tjera për realizimin e kushteve të domosdoshme infrastrukturore për krijimin dhe funksionimin e zonave ekonomike.
Gjithashtu është shtuar dhe mbulimi i çështjeve të standardizimit të shpronësimeve është emergjencë dhe domosdoshmëri, për shkak të përfshirjes edhe të zonave ekonomike dhe detyrimit për zbatimin e legjislacionit për këto zona, si dhe të unifikimit të trajtimit të praktikave dhe zgjidhjes së problemeve që dalin gjatë implementimit të projekteve në zbatim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.