Qeveria në gjyq me kompaninë “Serenissima”

17/08/2018 10:13 AM 0 komente

Qeveria shqiptare ende nuk ka arritur të arkëtojë garancinë që kompania e cila la në mes punimet për By-passin e Fierit dhe të Vlorës, “Serenissima”, kishte lënë të bllokuar në bankë për shtetin shqiptar në rast të dështimit të kontratës.

Mësohet se Autoriteti Rrugor Shqiptar pretendon të arkëtojë një shumë në vlerën e afro 10 milionë Dollarëve, por që sot e ka të pamundur ta tërheqë pasi “Serenissima Construzioni” dhe dega mëmë e saj “A4 Holding” mbajnë të bllokuar llogarinë.

Me një vendim të marrë një javë më parë, Këshilli i Ministrave ka prekur fondin rezervë të buxhetit të shtetit për të kaluar llogari të Ministrisë së Infrastrukturës 180 mijë Euro, para të cilat do të përdoren për të përballuar shpenzimet gjyqësore në Itali.

Vetëm nëse do të arrijë të fitojë gjyqin në shtetin italian, Shqipëria mund të arrijë të marrë garancinë e kontratës e më pas të shlyejë një pjesë të shumës së debisë ndaj firmave nënkontratore vendase që kanë kryer punime për llogari të “Serenissima”. Janë 48 kompani që pretendojnë një borxh që kap vlerën e 18 milionë Eurove.

Ditët në vijim pritet të shpallen edhe kompanitë fituese që do të përfundojnë punimet në këto segmente, por çështja me “Serenissima” vijon dyerve të gjykatave.

Tv Klan

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of