Instituti GAP prezantoi gjetjet e “Analizës së Buxhetit 2017 dhe rekomandimet e Komisionit Europian”. Qeveria e Kosovës edhe këtë vit nuk ka plotësuar rekomandimeve të Raportit për Kosovën të Komisionit Europian, i cili është publikuar më 1 nëntor 2016.
Kjo është analiza e dytë e këtij lloji, ku tregohet se sa buxheti reflekton me rekomandimet e Raportit të Progresit.Sipas Agron Demit, analist i politikave në Institutin GAP, nëse shikohen ndarjet buxhtore për vitin 2017, ato janë të njejta me vitet e kaluara. Pjesa më e madhe e buxhetit, sipas Demit, shkon për rrugë, pastaj për asistencë sociale, për pensione dhe paga.Edhe Berat Thaqi, analist i politikave në Institutin GAP, tha se fushat e monitoruara sa janë zbatuar rekomandimet e Raportit për Kosovën janë Adminsitrata Publike, zhvillimi i tregut, çështjet e punësimit, shëndetësisë dhe çështjet e mediave, statistikave.
Thaqi po ashtu tha se sipas analizës një përmirësim është bërë tek Agjensioni i Meteorologjisë sa i përket rritjes së investimeve kapitale por edhe aty ka probleme me numrin e të punësuarve për të realizuar misionin e tyre. Në bazë të një vlerësimi të këtyre agjencioneve, ato me kapacitetet ekzistuese mund të realizojnë vetëm 70 deri në 80% të programit të tyre të punës.
Të gjeturat e kësaj analize tregojnë se megjithëse ka përparime në adresimin buxhetor të rekomandimeve të raportit të KE-së, ka ende disa fusha për të cilat nuk është bërë mjaftueshëm. Ai shtoi se në fushën e sundimit të ligjit, për shembull, Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) i është rritur dukshëm numri i punonjësve, por jo edhe Departamentit për Çështje Ekonomike në kuadër të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila ka mungesë të stafit. Edhe Prokurorisë Speciale (PS), si institucion kyç për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, nuk i është ndarë buxhet për plotësimin e pozitave të kërkuara.Sipas analizës, raporti i KE-së ka adresuar lidhjen e dobët në mes të subvencioneve dhe granteve dhe produktivitetit në bujqësi. MBPZHR ka zgjedh si metodë të subvencionimit njësinë për hektar të kulturës bujqësore ose në blegtori për krerë, e jo subvencionimin bazuar në rendiment apo prodhimtari. Sipas një analize të Institutit GAP, kjo metodë e subvencionimit nuk ka arritur të ndikojë në rritjen e produktivitetit në bujqësi, prandaj duhet të shqyrtohet që kjo të ndryshojë.
Thaqi poashtu tha se analiza tregon se edhe për këtë vit është konstatuar se buxheti për shëndetësi është më i ulëti në rajon dhe nuk i plotëson nevojat dhe si pasojë e mungesës së buxhetit Ministria e Shëndetësisë nuk arrin t’i përmbushë nevojat bazike.Gjetjet tregojnë se në fushën e medies, Komisioni i Pavarur për Media (KPM) vazhdon të përballet me vështirësi për mbulim të obligimeve financiare dhe me numër të kufizuar të stafit.Sa i përket sektorit të statistikave, raporti i KE-së vlerëson ka një mungesë të trajnimeve për stafin e ri sa i përket metodave të mbledhjes dhe kualitetit të statistikave. Sipas raportit, pothuajse të gjitha llojet e statistikave të publikuara nga ASK kanë nevojë të përmirësohen dhe të përshtaten me standardet e BE-së./KosovaPress/
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.