Qeveria e Kosovës po paralajmëron masa shtesë reciprociteti ndaj Serbisë. Këto masa edhe pse ende nuk janë definuar se cilat do të jenë, do të pasonin vendimin e 21 nëntorit, për vendosjen e taksës 100 për qind për produktet e importuara me orgjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Ndonëse nuk janë ende definitive, sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, është e pritshme që Qeveria si masa reciprociteti ndaj Serbisë të vendos ndalimin e hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë, duke vendosur procedurën e njëjtë që Serbia aplikon për targat e Kosovës.
Një masë tjetër kundër Serbisë paralajmërohet të jetë mosnjohja e dokumenteve të Serbisë, njësoj siç nuk i pranon Serbia dokumentet e Kosovës, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë e produkteve dhe dokumente të tjera.
Haki Shatri, këshilltar për ekonomi i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, tha për Radion Evropa e Lirë se ende nuk është vendosur për ndonjë masë të re, por, sipas tij, është diskutuar për këto masa.
“Në mbledhjen e Qeverisë që është nesër (të martën) nuk ka të paraparë një gjë të tillë vetëm nëse vendoset diçka si e jashtëzakonshëm. Është fjala për tri masa që janë të një natyre të ngjashme me 100 për qindëshin e që lidhen me pranimin ose mos pranimin e dokumenteve, të njëjta dokumente që Serbia nuk i njeh nga Kosova, pastaj si masë tjetër është ndalimi i hyrjes së automjeteve me targa të Serbisë, e cila aplikohet për veturat e qytetarëve nga Kosova si dhe një masë ka të bëjë me regjistrimin e kompanive të huaja që furnizojnë Kosovën nga Serbia”, sqaron Shatri.
Qeveria e Kosovës me arsyetimin për mbrojtje të produkteve vendore vendosi që të rris në 100 për qind taksën doganore për mallrat e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Ky vendim ka nxitur reagime të ashpra të serbëve në Kosovë dhe të autoriteteve në Beograd dhe Sarajevë. Serbia, e cila eksporton në Kosovë mallra në vlerë prej mbi 400 milionë euro në vit kërkoi heqjen e taksës si kusht për vazhdimin e dialogut ndërmjet dy shteteve.
Ndërkohë, mekanizmat ndërkombëtarë si Komisioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan që të hiqet taksa, duke e konsideruar taksën 100 për qind edhe si shkelje e Marrëveshjes për Tregti të Lirë, CEFTA.
Por, Qeveria e Kosovës, të paktën deri më tani, nuk është zmbrapsur nga vendimi për tarifën 100 për qind, i cili vazhdon të mbetet në fuqi dhe se parasheh masa të tjera për Serbinë.
Përfaqësues të bizneseve të cilët dolën në përkrahje të Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, thonë të mbështesin edhe masat tjera të reciprocitetit.
Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini tha për Radion Evropa e Lirë se masat e reciprocitetit i kanë anët negative dhe pozitive, por që masa të tilla, Qeveria e Kosovës, sipas tij, ishte e nevojshme që t’i zbatonte.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.