Qeveria ruse bën një kthim prapa duke derdhur një shumë të konsiderueshme parash për zhvillimin e Botërorit Rusi 2018. Pushteti qendror vendosi të rrisë shpenzimet totale për Kupën e Botës 2018 me 19,1 miliardë rubla (rreth 300 milionë euro). Ende nuk është bërë e ditur në media arsyeja e shtimit të papritur të këtij fondi. Në muajt e fundit, në fakt, priteshin reduktime në buxhet, dhe jo një rritje kaq e madhe.
Totali i shpenzimeve për të mirëpritur Kampionatin Botëror shkon rreth 10 miliardë euro, falë edhe rritjes së kapitalit me 300 milionë euro.
Vendimtare për rritjen e fondeve në dispozicion për zhvillimin e kampionatit kanë qenë fondet e qeverisë federale, që kanë arritur të mbulojnë 55 për qind të shpenzimeve totale.
Deri tani nuk është dhënë asnjë sqarim nga autoritetet ruse rreth vendimit për të derdhur këtë lumë parash për organizimin e turneut.
Në të kaluarën, kur u vendos për reduktim fondesh, thuhej se nuk do të prekeshin fondet rezervë për zhvillimin e infrastrukturës, por që do të përfshinin vetëm burime cash në dispozicion të Komitetit Organizator.
Turneu do të luhet në 11 qytete, por në 12 stadiume, duke qenë se Moska do të përfaqësohet me dy stadiume. Vetëm disa muaj më parë, rezultoi se disa stadiume kishin nevojë për fonde ekstra për të përfunduar punimet. Ndër gjërat për t’u përmirësuar ishte fusha e stadiumit të Shën Petërburgut, që çuditërisht rrezikon të konsiderohet e papërshtatshme për shkak të terrenit.