Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka gati draftin e parë të strategjisë ndërsektoriale të Mbrojtjes së Konsumatorëve dhe Mbikëqyrjes së Tregut 2014-2020. Aktualisht është në fazën e ripunimit të draftit në bazë të kontributeve të institucioneve përkatëse dhe parashikohet që gjatë periudhës prill – maj 2014 të kalojë në procesin e konsultimit me grupin e këshillimit dhe palë të tjera të interesuara.
Zëvendësministrja Brunilda Paskali theksoi se sigurimi i një niveli të lartë të mbrojtjes së konsumatorëve është një ndër prioritetet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, si zbatim i objektivave të përcaktuara në Programin e Qeverisë 2013-2017.
“Fuqizimi i konsumatorëve është një element i rëndësishëm që kontribuon në ekonominë e vendit. Vetëm konsumatorë të fuqizuar dhe me besim mund të shfrytëzojnë potencialin e tregut në blerjen e mallrave dhe shërbimeve. Për këtë qëllim, politikat tona të qeverisë, duke njohur impaktin që sjellja e konsumatorëve ka në forcimin e tregut funksional, sigurimin e një konkurrence të ndershme, nxitjen e inovacionit dhe rritjes ekonomike, synojnë krahas mbrojtjes së konsumatorëve edhe rritjen e aftësisë së tyre për të vepruar në treg”
Ndër arritjet kryesore të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të konsumatorëve, znj. Paskali veçoi:
Krijimin e një kuadri ligjor, të përafruar me atë evropian. Ligji i mbrojtjes së konsumatorëve është vlerësuar nga ekspertë të njohur të fushës, si një nga më të përparuarit në Rajon.
Ndërmarrjen e iniciativave nga vetë ministria për çështje të tilla si: ngritjen e grupeve të përbashkëta të punës për shmangien e rritjes abuzive të çmimeve të karburantit, cigareve në treg, apo të biletave në transportin qytetas.
Komisioni Mbrojtjes së Konsumatorëve ka marrë 30 vendime, kundrejt operatorëve te ndryshëm dhe sipas rastit ka urdhëruar ndalimin e shkeljes, masa për ndreqjen e shkeljeve, apo vendosjen e gjobave administrative, për çështje si: praktikat e padrejta tregtare, kushte te padrejta në kontratat e konsumatorit, shërbimet e furnizimit me energji elektrike, ujë, telekomunikacionit, si dhe shërbimin e ofruar nga universitetet private.
Shqyrtimin e ankesave të konsumatorëve, për të cilat funksionon edhe sistemi online i paraqitjes së tyre.
Në draft strategji është parashtruar vizioni, politikat kryesore, objektivat afatmesme dhe afatgjata që do të sigurojnë zbatimin e këtyre politikave. Dokumenti strategjik është mbështetur edhe në dokumentin e BE-së “Programi europian i konsumatorit – Rritja e besimit dhe e zhvillimit (2014-2020)”;
Vizioni i parashikuar në strategji është “Konsumatorë të fuqizuar, të sigurtë dhe me besim në një treg të ndershëm dhe konkurrues ku ata mund të marrin pjesë aktive, duke ushtruar të drejtat dhe fuqinë e tyre të zgjedhjes së mirëinformuar”. Draft strategjia ka përcaktuar politikat kryesore:
1) Përmirësimin e sigurisë se konsumatorëve mbështetur ne një infrastrukture efektive të cilësisë sipas praktikave më të mira europiane.
2) Përmirësimin e transparencës së tregut dhe praktikave tregtare për mbrojtjen e interesave ekonomike të konsumatorëve, duke përmirësuar dhe aksesin për dëmshpërblim dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
3) Përmirësimin e edukimit te konsumatorëve për pjesëmarrje aktive ne treg dhe përmirësimi i informimit dhe ndërgjegjësimit të konsumatorëve dhe operatorëve ekonomike për të drejtat e konsumatorëve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.