Qeveria tërhiqet nga licencimi i pikave të duhanit, projektligji i ri del për konsultim

20/03/2019 3:24 PM 0 komente

Qeveria është tërhequr nga qëndrimi i saj fillestar se tregtimi i duhanit do të bëhej në pika specifike të cilatduhet të licencoheshin. Kjo do të bënte që duhani të mos tregtohej në çdo dyqan sikurse ndodh sot por vëtëm në pika të dedikuara. Në projektlgijin e ri “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, të ndryshuar të nxjerrë tashmë për konsultim bëhet me dije se tashmë licencimi është përjaashtuar nga ky draft. Ministria e Shëndetësisë pranoi edhe në deklarata publike para mediave se drafti ishte ende në proces ndryshimesh dhe se do të konsultohej me grupet e interesit.

Në komentet e bëra nga vetë Ministria e Shëndetësisë për këtë draft nënvizohet se “kerkesa për të pajisur pikat e shitjes me licence nuk është më pjesë e projektligjit”. Në relacionin që shoqëron projektligjin thuhet se ndryshimet që mbeten në fuqi në draft synojnë të sigurojnë mbrojtjen e shëndetit të popullatës nga produktet e duhanit si dhe forcim të roli monitorues të Inspektoratit  përgjegjës për Shëndetësinë, në lidhje me  zbatimin e ligjit për mbrojtjen e shëndetit nga duhani.

Ndryshimet e përgjithshme në projektligj janë grupuar në gjashtë pika në relacionin që shoqëron projektligjin duke nënvizuar se bëhen të paktën gjashtë rregullime.

Së pari saktësimi i përkufizimeve të duhanit dhe nënprodukteve të tij si dhe përfshirja në këtë kategori të produkteve të reja të duhanit. Kjo synon të përfshijë në kuadër rregullator çdo produkt ose nënprodukt duhani që është i dëmshëm për shëndetin e popullatës. Gjithashtu nëpërmjet këtyre saktësimeve synohet të forcohet kontrolli i duhanit dhe të shmangen rastet abuzive.

Së dyti detyrimi i prodhuesve dhe/ose importuesve të produkteve të duhanit për të informuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për hyrjen në treg të produkteve të reja të duhanit synon të mbajë të informuar organet përkatëse për dinamikën e hyrjes së produkteve të reja në treg, karakteristikat e tyre dhe për efektet negative që ata kanë në popullatë. Pasja e këtij informacioni pritet të mundësojë monitorim më të mirë të zbatimit të ligjit dhe të përshtatjes së tij në të ardhmen bazuar në produktet e reja që hyjnë në vend.

Së treti ndalimi i shitjes së paketave me numër të reduktuar cigaresh apo me alterim të shijeve pritet të reduktojë blerjen e këtyre produkteve nga konsumatorë që nuk e përballojnë dot çmimin e një pakete të plotë apo nga konsumatorë për të cilët shija karakteristike e duhanit është një element i pakënaqshëm i duhanpirjes dhe në mungesë të shijeve alternative do zgjidhnin të mos konsumonin produktin konvencional.

Së katërti ndalimi i promocionit të indirekt nëpërmjet ngjyrave të logos së produkteve të duhanit dhe vendosjen e tyre në rafte të dukshme bëhet në kuadër të forcimi të kontrollit për moslejimin e promocionit dhe marketimit të produkteve të duhanit si një faktor që stimulon përdorimin e tij në popullatë.

Së pesti ndalimi i përdorimit të cigares elektronike dhe duhanit me ngrohje në ambiente të mbyllura duke aplikuar për të, të njëjtat rregulla si për format konvencionale të duhanpirjes synon mbrojtjen nga ekspozimi i pavullnetshëm ndaj produkteve të duhanit.

Së gjashti forcimi i masave ndëshkuese në rast moszbatimi të ligjit ka për synim të forcojë implementimin e ligjit dhe shtimin e mbrojtjes për qytetarët që ekspozohen në mënyrë të pavullnetshëm ndaj tymit të duhanit, qoftë nga produkte konvencionale qoftë nga produkte inovative.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of