Bizneset të cilat do të kenë kundërshti ligjore me Doganat dhe Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), nuk kanë më ku të ankohen. Kjo për shkak se Ministria e Financave ka marrë vendim për mbylljen dhe marrjen e mandatit të Bordit të Pavarur për Rishqyrtimin e Ankesave (BPRA).
BPRA kishte mandate deri në fund të këtij viti për përmbarim të disa lëndëve të mbetura. Para mbylljes, të gjithë tatimpaguesit e pakënaqur me vendimet e ATK-së dhe DK, kanë pasur mundësi ligjore t’i kontestojnë ato në dy shkallë në procedurë administrative dhe në dy shkallë në procedurë gjyqësore, shkruan Zeri.
Pavarësisht deklarimeve të vazhdueshme të ministrit të Financave, Avdullah Hoti se do të krijojë bazën ligjore në mënyrë që ky bord të jetë funksional, nuk duket se është marrë seriozisht, pasi në përgjigjet zyrtare të Ministrisë që ai drejton thuhet se ndryshimet ligjore e kanë imponuar mbylljen e bordit.
“Një gjë e tillë është imponuar në bazë të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, me të cilin ligj është përmbyllur mandati i Bordit të Pavarur për Rishqyrtime dhe Ankesa më 31.12.2014. Të gjitha përgjegjësitë dhe kompetencat e këtij bordi kanë kaluar në Gjykatën Themelore, departamenti për çështje administrative – Divizioni fiskal”, thuhet në përgjigjet e zyrtarëve të MF-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.