Qeveria shqiptare emetoi një obligacion 5 vjeçar me vlerë 2 miliardë lekë kundrejt interesit 4.74 për qind. Në krahasim me ankandin paraardhës, që ishte në gusht të këtij viti, interesi shënoi ulje me 0.12 pikë përqindje, ndërsa në raport me janarin interesi i obligacionit 5- vjeçar ra me 0.71 pikë përqindje.
Trajektorja e interesave në ulje sipas ekspertëve të tregut po nxitet nga dy faktorë.
Së pari kërkesa e qeverisë për të financuar disa shpenzime me borxh në muajt e parë të vitit është më e lartë se për gjysmën e dytë të vitit. gjithashtu afatet e maturimit që kërkojnë rifinancim janë të përqendruara në muajt e parë të vitit. Kërkesa më e lartë për emetim nxit interesa më të larta për gjysmën e parë të vitit, të cilat fillojnë e bien në gjysmën e dytë të vitit për shkak të intensitetit më të ulët për emetime.
Faktori i dytë lidhet me interesin e lartë të tregut për të investuar në borxhin e qeverisë, për shkak te politikave shtrënguese qe po ndjekin bankat për kredidhënien. Në ankandin e fundit të obligacionit të qeverisë raporti i mbulimit ishte 1.9, çka do të thotë se bankat ofruan 3.8 miliardë lekë, kundrejt 2 miliardë ve që kërkoi qeveria.
Ministria e Financave shprehet se, kosto mesatare e portofolit të borxhit të brendshëm ka vijuar të ulet edhe përgjatë këtij viti për shkak të rifinancimit të titujve afatgjatë që maturohen me tituj me norma interesi më të favorshme.
Për sa i përket zhvillimeve në tregun primar, kërkesa për tituj shtetërorë mbetet ende jo shumë e diversifikuar dhe e bazuar kryesisht tek sektori bankar, por ka një rritje në drejtim të pjesëmarrjes së individëve.
Nga fillimi i vitit deri me 20 shtator 2018, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka emetuar në tregun e brendshëm tituj shtetërorë në vlerën 235.5 miliardë lekëve, të cilat kanë shërbyer për rifinancimin e titujve ekzistues dhe për financimin e deficitit buxhetor të planifikuar për vitin 2018.
Ministria e Financave pohon se borxhi i ri në më shumë se 80 për qind tij është financuar nëpërmjet titujve afatgjatë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.