Fermerët do të rimbursohen për TVSH-në. Kreu i ekzekutivit gjatë mbledhjes së kabinetit njoftoi se rimbursimi i TVSH-së do të bëhet për fermerët dhe për industrinë turistike, gjë që do të nxisë rritjen e prodhimit dhe do t’i japë një ndihëm të madhe ekonomisë së vendit.
Ndërkohë, duke iu referuar shqetësimit të peshkatarëve të Durrësit, me të cilët zhvilloi një bashkëbisedim ditën e djeshme, Berisha theksoi se duhet hartuar menjëherë plani kombëtar për këtë sektor. “Ne duhet të bëjmë gjithçka për prodhimin dhe nxitjen e peshkimit, ky është zotimi ynë. Ne kemi shpallur se do të hartojmë një plan kombëtar për peshkimin. Të gjithë taksat të shkojnë në promocionin e duhur. 1 mijë euro për të ankoruar anijen është një problem i madh. Ne do bëjmë gjithçka që ta nxjerrim peshkimin në vendin që meriton”, tha kryeministri.
do të ulet edhe taksa për industrinë e turizmit.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë tha se edhe TVSH-ja për industrinë e turizmit do të ulet.
“E vërteta është se kjo degë e kësaj industrie është një degë e rëndësishme e ekonomisë. Dhe ky hap do të jetë një lehtësim i madh për ekonominë. Por edhe konsumi i brendshëm është një faktor tjetër shumë i rëndësishëm, pasi në 4.8 milion turistë kjo nënkupton një rritje të madhe të konsumit” tha kryeministri.
Berisha lajmëroi edhe marrjen e disa vendimeve të tjera të rëndësishme për një sërë projektesh, siç është memorandumi i mirëkuptimit që qeveria shqiptare firmos me atë të Malit të Zi dhe Kroacisë, për projektin e gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline.
“Trajektorja e gazsjellësit është Greqi-Shqipëri-Itali, por vendet veriore të Ballkanit kanë treguar dhe tregojnë interes të madh për këtë gazsjellës. Firmosja e këtij, memorandumi mirëkuptimi natyrisht me konsensusin palëve të interesuara është dëshmi e rritjes së mëtejshme të leverdishmërisë së këtij projekti”, tha Berisha.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.