Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Financave, ka vendosur në mbledhjen e të mërkurës disiplinimin e shpenzimeve buxhetore duke nisur nga 15 korriku.V endimi duket se vjen pas një performance të dobët të të ardhurave buxhetore dhe shpenzime të larta përpara periudhës së zgjedhjeve, duke çuar në një rritje të ndjeshme të deficitit buxhetor ne 6 muajt e pare te vitit.
Sipas vendimit, duke nisur nga data 15 korrik 2013, botimi i çdo lloj njoftimi për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzime kapitale dhe korrente të njësive të qeverisjes së përgjithshme, sipas përcaktimeve në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, bëhet vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave.
Përjashtohen nga ky rregull:
· njoftimi i kontratës së nënshkruar për procedura të shpallura para datës15 korrik;
· njoftimi i kontratës së nënshkruar për procedura për negociim pa publikim, kur këto kontrata janë lidhur deri në datën 7 korrik dhe janë dërguar për publikim brenda afatit ligjor;
· fondet buxhetore që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi të qeverisjes së përgjithshme, në të cilat kryhet ky shërbim;
· prokurimet për blerjet e vogla;
· investimet nga të ardhurat e realizuara nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme.
Shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes (602 dhe 605) të njësive të qeverisjes qendrore, të pakontraktuara deri në datën 15 korrik, pasi të zbriten fondet për pagesën e energjisë elektrike, ujit dhe telefonisë, ngurtësohen në masën 20 për qind të pjesës së mbetur.
Reduktohet 30 për qind masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare për çdo përfitues nga vendimi nr.864, datë 23.7.2010, i Këshillit të Ministrave, “Për pajisjen me numër telefoni celular të personave juridikë, publikë”.
Fondet e papërdorura për pagesën e telefonisë fikse, për periudhën e mbetur, reduktohen në masën 50 për qind në të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme, nëpërmjet përgjysmimit të limeteve mujore për çdo përdorues.
Fondi i veçantë i planifikuar në njësitë e qeverisjes së përgjithshme nuk përdoret deri më 2 dhjetor 2013, përveç rasteve për ndihma të menjëhershme dhe të shpërblimit për daljet në pension pleqërie, në masën e përcaktuar në pikën 7, të vendimit nr.929, datë 17.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe përdorimin e fondit të veçantë”, të ndryshuar, pavarësisht nga masa e përcaktuar në akte të tjera ligjore e nënligjore.
Shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit për njësitë e qeverisjes së përgjithshme reduktohen duke lejuar financimin me fonde buxhetore vetëm të udhëtimeve të rëndësisë së veçantë, për aktivitete që përfshijnë titullarët e institucioneve qendrore ku pjesëmarrës mund të jenë ata vetë apo të deleguarit e tyre. (Institucione qendrore në kuptim të këtij kufizimi janë ministritë, institucionet në varësi të Këshillit të Ministrave dhe institucionet e pavaruara). Në rastin e pjesëmarrjes në konferenca apo aktivitete, për të cilat paguhet tarifë pjesëmarrjeje, merret paraprakisht miratimi i ministrit të Financave.
Trajnimet/seminaret/kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2013, bllokohen.
Fondet buxhetore të papërdoruara deri në miratimin e këtij vendimi për trajnimet/seminaret/kurset brenda vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për t’u mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2013, reduktohen në masën 50%
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.