Në mbledhjen e fundit qeveria ka vendosur që blerjet online mbi 22 euro të paguajnë TVSH dhe taksë doganore, ndërsa për dhuratat apo dërgesat që qytetarët marrin nga jashtë taksimi fillon nga kufiri 45 euro.
Nëse kalohet kufiri i taksueshëm, atëherë blerësi paguan gjithsej si taksa 22.4% të vlerës së mallit (20% TVSH 2.4% taksë doganore). Kjo nënkupton se për të gjitha blerjet mbi 22 euro dhe dhuratat e dërgesat nga jashtë mbi 45 euro, individët duhet të llogarisin që çmimet do të jenë 22.4% më të shtrenjta.
Kufiri mbi të cilin paguhen taksa është ulur ndjeshëm. Në mes të vitit 2014, qeveria kishte vendosur që të gjithë ata që blejnë online dhe u vjen produkti me postë nga jashtë vendit, do të paguanin taksë në rast se vlera e mallit do të kalojë 20 mijë lekë, duke e rritur nga 10 mijë lekë, që ishte më parë.
Ky veprim, sipas financave, bëhet për të shmangur konkurrencën e pandershme të subjekteve tregtare që importojnë dhe shesin produktet e tyre në vend, duke paguar të gjitha taksat dhe tatimet në import.
Ulja e kufirit për blerjet online ka shkaktuar pakënaqësi e reagime të shumta te konsumatorët, që gjithnjë e më shumë i ishin drejtuar kësaj alternative, si një zgjidhje për të blerë mallra cilësorë me çmime të pranueshme.
Sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave ishin mesatarisht mbi 120 mijë transaksione mujore për blerje online gjatë katër muajve të parë të këtij viti. Niveli më i lartë i tyre ka arritur në prill, me mbi 130 mijë transaksione on line.
Po sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave, volumi i transksioneve online është mbi 150 milionë euro në muaj. Përgjithësisht në gusht dhe dhjetor ka një rritje të interesit për të blerë online. Në raport me vitet e kaluar, transaksionet online janë rritur ndjeshëm. Në 2012-n, kur Shoqata e Bankave raporton për herë të parë të dhënat, volumi i transaksioneve online ishte më pak se 80 milionë euro në muaj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
pershendetje, doja te dija nese ky ligj eshte per blerjet nga 1 korriku e ne vazhdim? apo per pakot qe vijne nga 1 korriku e ne vazhdim?
Vnedimi hyn ne fuqi 15 dite pas botimit ne Fletoren Zyrtare. Per ide vendimi eshte miratuar para dy ditesh nga qeveria, pastaj varet kur botohet ne Fltoren zyrtare, por aktualisht nuk eshte ne fuqi dhe per nja nje muaj, sa te zgjasin keto procedurat