Financat kanë intensifikuar ankandet e bonove të thesarit në këtë periudhë të nxehtë të vitit, dukuri që konstatohet përgjithësisht në korrik-gusht dhe në dhjetor janar dhe përkon me maturimin e borxheve, duke bërë që financat të kenë nevojë për më shumë para.
Pasi shiti pak ditë më parë 38 milionë euro obligacione 2 vjeçare, nga 40 milionë që ishte shuma e planifikuar, Banka e Shqipërisë ka njoftuar për ankande të tjera të bonove të thesarit në lekë, që do të zhvillohen ditët e ardhshme dhe synojnë të mbledhin në total 13.4 miliardë lekë.
Të premten do të zhvillohet ankandi për shitjen e 2 miliardë lekë bono 3 mujore. Në ankandin e mëparshëm me të njëjtin maturitet, yieldi (interesi) mesatar i ponderuar arriti në 2.99%.
Ndërsa të martën do të zhvillohen dy ankande, ai i shitjes së 9.1 miliardë lekë bonove me afat maturimi 1 vjeçar (në ankandin e mëparshëm me të njëjtin maturitet, yieldi mesatar i ponderuar arriti në 3.21%) dhe sërish 2.3 miliardë lekë bono tre mujore.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.