Qeveria shqiptare së shpejti do të miratojë një vendim për dhënien me qira me vlerën simbolike “ 1 euro” një kompanie italiane që do të ndërtojë një fabrikë fasoni në Lezhë. Burime pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Industrisë bëjnë të ditur se pas miratimit të VKM-së në shkurt të këtij viti kërkesa nga ana e kompanive që operojnë në sektorin e fasonit të huaja dhe të përbashkëta me ato shqiptare për të përfituar ambiente
( toka dhe ndërtesa) me këtë çmim simbolik ka qenë i lartë.
Aktualisht bëhet fjalë për 9 kërkesa të paraqitura pranë MZHETI-së për marrje me qira
“ 1 euro”, ndërkohë që deri në fund të 300 ditëshit të dytë të qeverisjes parashikohet që kjo shifër të arrijnë në mesatarisht 15. Ende nuk bëhet e ditur se kush është kompania italiane që do të ndërtojë fabrikën e fasonit në Lezhë, por mësohet se sipërfaqja që ajo do të ketë në dispozicion është e lartë. Të dhënat e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve flasin për 17 objekte që janë në proces privatizimi për sektorin e fasonit.
(Pjesë e VKM-së)
IV. NXITJA E BIZNESIT
1. Për objektet e dhëna me qira ose enfiteozë, me sipërfaqe mbi 200 m2, vlera e detyrimit mujor rillogaritet me zbritje, kur subjekti që ka marrë me qira ose enfiteozë, vërteton në llogaritë financiare vjetore të tij se ka kryer investime në pasurinë e marrë me qira ose enfiteozë për përmirësimin e saj, si dhe për blerje e instalim linjash, makinerish e pajisjesh në vlerat, si më poshtë vijon:
investime mbi 50 milionë lekë, zbritja është 10%;
investime mbi 80 milionë lekë, zbritja është 20%;
investime mbi 100 milionë lekë, zbritja është 30%;
investime mbi 150 milionë lekë, zbritja është 40%.
2. Ulja e vlerës së detyrimit mujor nga realizimi i investimeve vlen deri në përfundimin e afatit të kontratës së qirasë apo të enfiteozës.
V . KONTRATA ME TARIFËN SIMBOLIKE 1 EURO KONTRATA
1. Pasuritë shtetërore, me sipërfaqe mbi 500 m2, u jepen të tretëve edhe me kontrata qiraje, me tarifë simbolike 1 (një) euro/kontrata, me vendim, rast pas rasti, të Këshillit të Ministrave.
2. Kur, pas përfundimit të procedurave të konkurrimit, rezulton fitues një subjekt, i cili propozon që në pasurinë shtetërore që jepet me qira do të zhvillohen aktivitetet, si:
veprimtari prodhuese industriale në nivele investimi mbi 10 milionë euro;
veprimtari prodhuese të regjimit “Fason”,
atëherë, në këtë rast, institucioni që zhvillon procedurën dhe që ushtron të drejtën e përfaqësuesit të pronarit shtet për pasurinë, i propozon Këshillit të Ministrave lidhjen e kontratës së qirasë me tarifën simbolike 1 (një) euro/kontrata.
3. Ministria përgjegjëse për ekonominë mund të propozojë në Këshillin e Ministrave dhënien me qira të pasurisë shtetërore, pa konkurrim dhe me tarifë simbolike 1 (një) euro/kontrata, kur me ofertë “të pakërkuar”, ka propozim për kryerjen e investimeve në vlera mbi 2 milionë euro për zhvillimin e zonave të veçanta, duke kryer këto aktivitete:
a) veprimtari në fushën e sportit, kulturës, turizmit dhe trashëgimisë kulturore;
b) veprimtari që do të ndikojnë në zgjidhjen e problemeve sociale në zona të veçanta.
4. Para nënshkrimit të kontratës së qirasë, me tarifë 1 euro/kontrata, qiramarrësi ose enfiteozëmarrësi është i detyruar të kryejë pagesën e garancisë së kontratës, në vlerën 10 për qind të vlerës së investimit të marrë përsipër në konkurrim. Garancia kthehet pas përfundimit të investimit.
Në rast se subjekti, që ka lidhur një kontratë me tarifë 1 euro/kontrata, nuk realizon kushtet e saj, kontrata kthehet në kontratë qiraje ose enfiteoze, dhe vlera e detyrimit mujor rillogaritet, sipas tarifave të përcaktuara në kreun III të këtij vendimi, si dhe merr gjobë në masën e garancisë së depozituar në çastin e lidhjes së kontratës.
Kontratat e qirasë, të lidhura para daljes së këtij vendimi, ku realizohet veprimtari prodhuese me regjim “Fason”, kthehen në kontrata me tarifë simbolike 1 (një) euro/kontrata, pas daljes së këtij vendimi, duke ruajtur si garanci kontrate atë të kontratës së qirasë. Specifikimet për rastet dhe procedurat për ndryshimin e këtyre kontratave bëhen me udhëzim të ministrit përgjegjës për ekonominë.
Pas daljes së vendimit të Këshillit të Ministrave, për dhënien me qira të pasurisë shtetërore me tarifë simbolike 1 (një) euro/kontrata, ministria përgjegjëse për ekonominë fillon procedurat, që janë të njëjta me ato të përcaktuara në kreun II të këtij vendimi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.