Autoriteti Rrugor Shqiptar ka konfirmuar se ende, në segmentin Qukës-Qafë Plloçë po punohet për t’i dhënë zgjidhje rrëshqitjeve të dheut për të cilat ka disa muaj që po punohet. Në një deklaratë për mediat nga Pogradeci kreu i ARRSH Afrim Qendro konfirmoi se afatet e përfundimit janë ato që tashmë janë deklaruar.
“Atje është duke punuar në funksion të kontratës. Ne jemi para një problemi për stabilizimin e skarpateve dhe disa rrëshqitjeve që kemi aty. Kemi muaj që po punojmë për të. Po punohet normalisht në të tre segmentet. Besoj që brenda një kohe të shkurtër paraqiten edhe projektet, i jepen zgjidhje dhe këtyre problematikave. Unë nuk dua ta përsëris më që ai ka qenë një segment me probleme shumë të mëdha në projektim dhe ne mendojmë që brenda afateve të deklaruara aksi Qukës-Qafë Plloçë të mbarojë përfundimisht” tha Qendro.
Pak muaj më parë ishte Ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë Damian Gjiknuri që deklaroi se rruga do të ishte gati brenda vitit 2019. Investimi në këtë segment kap vlerën 38 milionë dollarë ndërkohë që gjatësia e segmentit është 40 kilometraa.
Kontratat e mirëmbajtjes
Kreu i ARRSH Afrim Qendro bëri me dije nga Pogradeci se do të ndërhyhet në funksion të mirëmbajtjes në disa rrugë në vend sipas kontratave që janë nënshkruar me operatorët privatë pas mbështetjes së dhënë nga Banka Botërore.
“Këtu jemi në qytetin e Pogradecit në kuadër të kontratës me performancë që Autoriteti Rrugor në bashkëpunim me Bankën Botërore ka në aktivitet. Jemi duke rehabilituar plotësisht 2.1 km në hyrje deri në dalje të qytetit të Pogradecit. Vlen të theksohet që ky është një rehabilitim i plotë me të gjitha shtresat me punime në trotuar dhe me punime në K.U.SH, ose në kanalet e kullimit të shiut, siç quhet në gjuhën shkencore. Nuk jemi në rastin analog si ndërhyrja që bëmë në Tiranë Durrës që ishim në emergjencë vetëm për shtresat, ky është një rehabilitim i plotë. Unë dua të falënderoj shumë Bashkinë e Pogradecit për bashkëpunimin, gjithashtu edhe sektorin e policisë rrugore, pa të cilët ne nuk mund ta bënim këtë. Jemi në një punë intensive prej gati 12 ditësh dhe mendojmë që brenda javës së parë të korrikut ne ta përfundojmë gjithë këtë rehabilitim. Gjithashtu jemi duke punuar edhe në segmentin e Qafës së Plloçës, në të cilën kemi rehabilitim edhe aty, pastrime kanalesh, për ta kthyer edhe këtë segment në kushte normale dhe për t’i rritur të gjithë elementët e sigurisë rrugore” tha Qendro.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.