Në përpunimin e qumështit po investohet gjithnjë e më shumë, por baza e furnizimit nga fermat blegtorale ka bërë pak hapa përpara. Askush nuk po punon për ta mbyllur këtë hendek
Sajmir Begajt, menaxher i një prej fabrikave të qumështit në vend, i mbërrijnë telefonata edhe nga vendet e Lindjes. Janë klientë që i kërkojnë të lidhin kontrata blerjesh për produktet e bulmetit të prodhuar në stabilimentin i tij. Por, tregu kryesor për të është ende ai i brendshëm. Fabrika ‘Erzeni’, vitin e kaluar e këtë vit ka pasur rritje të ndjeshme të shitjeve. Në këtë treg, familja Begaj është zgjeruar së fundi me rritjen e gamës së prodhimeve, duke futur në treg edhe djathin. Prej më shumë se dy vitesh prodhimet e tij “kanë vënë nën kontroll” të gjithë territorin e Shqipërisë, duke e zgjeruar rrjetin falë stabilimentit të dytë të ngritur nga kompania. Por, shembullit të qumështit ‘Erzeni’, i cili duket se po rritet në mënyrë të shëndetshme nga viti në vit, i ngjajnë edhe disa prodhues të tjerë në vend.
Prodhues të ‘Mireli’, apo ‘Lufra’ raportojnë gjithashtu ecuri pozitive. Këtë vit, menaxherët e shitjes flasin për rritje mesatarisht edhe 7% më të lartë se një vit më parë, pas një zgjerimi prej 5-10% të shënuar vitin e kaluar nga këto tri kompani.
Daljet nga tregu
Por, ndërsa disa kompani po ecin mirë, të tjera u dorëzuan në luftën jo të lehtë të tregut, duke vendosur të dalin prej tij. Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë shpjegojnë se kompanitë prodhuese ende nuk kanë arritur të mbushin gropën e lënë nga ‘Primalat’, ndërsa një “gërvishtje” të tregut e patën edhe nga kompania gjermane ‘Megle’, blerës i ‘Fast’, e cila në fillim të këtij viti mbylli prodhimin në Shqipëri dhe marka e qumështit Fast nuk është më tashmë në pikat e shitjes.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, i gjithë tregu i qumështit të pasterizuar vitin e kaluar shënoi rënie. Kjo, megjithatë, nuk i tremb investitorët e rinj të interesuar ende për këtë treg. Konfindustria konfirmon se ka ende interes nga investitorë të huaj për përpunimin e qumështit në Shqipëri.
Ende interes për investime, por kujdes!
Në fakt, deri më sot, tregu i qumështit është ndër më dinamikët në vend, me të mirat e të këqijat e tij. Këshilli i Agropërpunimit vlerëson se në pesë vitet e fundit janë investuar mbi 15 milionë euro në stabilimente e linja të përpunimit. Me këtë vlerë, investimet në këtë sektor i kanë kaluar 45 milionë euro. Ky shpenzim i lartë, që mungon në shumë degë të tjera të industrisë ushqimore, perime, fruta, apo prodhimin e pijeve freskuese, mund të cilësohet edhe si i tepërt.
Pikërisht për këtë, dhe shifrat në vijim, investitorët këshillohen të kenë kujdes, që të mos shkelin në “dërrasë të kalbur”. Përse do të thoni?! Vendi ka nevojë ende për qumësht të përpunuar, për sa kohë tregtohet qumësht i freskët nga fshatarët, por fshatarët nuk u përgjigjen fabrikave për sasi të duhura. Mbledhja e qumështit me dhjetëra litra nga një fermë në tjetrën, vazhdon të jetë mina me sahat e prodhimeve të bulmetit. Pasi mjafton një furnitor i vogël me qumësht me mbartje bakterologjike, apo papastërti për të kontaminuar mijëra litra qumësht. Për këtë arsye, ekspertët por edhe përfaqësuesit e Agrobiznesit, sugjerojnë të punohet më parë me rritjen e fermave blegtorale, ferma që duhet të kenë qindra krerë bagëti, kryesisht gjedh.
Vetë sipërmarrësit ankohen për sasitë e kufizuara të furnizimit. Prodhuesit e qumështit ‘Mireli’ thonë se këtë problem nuk po e hedhin dot pas krahëve. Ata thonë se pranojnë furnizimin në sasi të ndryshme, ndërsa ofrojnë edhe çmime të ndryshme. Për furnizimet 50 – 200 litra qumësht, çmimi i shitjes nga fermerët luhatet në 42-45 lekë/litër. Pra, përpunuesit nuk përballen vetëm me rrezikun e cilësisë, por edhe me çmimin e lartë. Mbi 40 lekë/litër, është një çmim që e tejkalon atë të mesatares europiane.
Tregu tkurret 6%
Industria e përpunimit të qumështit mund të konsiderohet më dinamikja e këtyre viteve, gati e ngjashme me sektorin e ndërtimit në kulmin e tij. Krahasimi vlen edhe për faktin se nuk kanë munguar investitorët ndërtues në përpunimin e qumështit. Siç tregojnë edhe shifrat, e gjithë kjo dinamikë nuk ka sjellë ndonjë bum të madh. Ngritja apo dalja e një kompanie nga tregu shoqërohet me luhatje 2-3% të shifrave të prodhimit. Ekspertët e fushës na kujtojnë se shifrat e raportuara të përpunimit të qumështit vazhdojnë të vuajnë “sëmundjen” e informalitetit, por qëndron dhe fakti se sipërmarrësit janë aq dinamikë sa të përfitojnë nga dalja e një operatori nga tregu, për të plotësuar pothuajse tërësisht boshllëkun e tij.
Sipas të dhënave statistikore të Ministrisë së Bujqësisë, tregu i qumështit shënoi rënie prej 6% gjatë vitit të kaluar. Mes prodhimit dhe importit të qumështit, vitin e kaluar u qarkulluan pak më shumë se 118 mijë hektolitra, ndërsa një vit më parë, në këtë treg pati mbi 125 mijë hektolitra qumësht.
Sipas të dhënave statistikore, vitin e kaluar prodhimi e përpunimi vendas shënoi një rënie prej 6.5% krahasuar me 2013-n, ndërsa importi u rrit rreth 4% në sasi.
Të gjitha këto zhvillime kanë rritur me rreth 1 pikë përqindje peshën e qumështit të importuar ndaj atij të prodhuar në vend.
Mbyllen 11 subjekte përpunimi qumështi në 2014
E ndërsa ka bërë një hap mbrapa, industria ushqimore që ka investuar më shumë në impiantet e përpunimit, duke u lënë më shumë terren importeve, vetë sipërmarrjet duket se kanë bërë një hap cilësor drejt efektivitetit. Vitin e kaluar, sipas Ministrisë së Bujqësisë, kanë mbyllur aktivitetin 11 subjekte. Mes stabilimenteve të përpunimit dhe punishteve përpunuese, numërohen 311 subjekte. Sipërmarrësit, anëtarë të Këshillit të Agrobiznesit, tregojnë se këto kompani nuk po mbulonin me shpenzimet e tyre prej më shumë se 5 vitesh, dhe para më shumë se një viti hoqën dorë. Disa prej këtyre aktiviteteve janë të përqendruara në Lushnjë e Kavajë, ndërsa emra të njohur që patën zënë një peshë të madhe në treg si ‘Primalat’, u zëvendësuan plotësisht.
Në të njëjtën kohë, numri i të punësuarve ka shënuar rritje, pasi sipërmarrje të tjera kanë zgjeruar aktivitetin. Numri i të punësuarve vitin e kaluar u rrit me 9%, duke arritur në 1334 vetë. Shifër kjo e vogël gjithsesi, pasi në mesatare llogariten vetëm 4.2 punëtorë për punishte.
Mes këtyre bizneseve, stabilimentet më të mëdha, të cilat arrijnë të dalin në treg me emrat e tyre, janë rreth 30. Sipas ekspertëve të bujqësisë, kapacitetet e përpunimit (rreth 25 mijë litra/orë në total) janë shumë më të larta se sasia e prodhimit të qumështit në vend, me të cilin ata pretendojnë të punojnë.
Të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se prodhimi vjetor total është rreth 11-12 milionë hektolitra, ose më shumë se dhjetë herë më pak se kapaciteti i përpunimit. Kapaciteti i përpunimit është disa herë më i lartë edhe se niveli total i konsumit në vend. Megjithatë, sipërmarrësit shikojnë ende hapësira për sa kohë importi i qumështit vazhdon të mbetet i lartë, e madje edhe të rritet.
Të pyetur nga “Monitor”, sipërmarrësit flasin për një rritje të theksuar të konkurrencës. Pas “presioneve” të pak viteve më parë, tashmë ata pohojnë se, gjërat po shkojnë në vendin e duhur. Kompanitë serioze, sipas tyre, kanë arritur të qëndrojnë në treg e të zgjerohen.
Kjo e ka bërë edhe më të vështirë biznesin e ri të pak viteve më parë, të cilat ndoshta pikërisht për shkak të investimeve të mëdha (e rrjedhimisht borxheve të mëdha) nuk arritën të përballojnë goditje të tregut, siç ishte rasti i ‘Primalat’, i cili mori 6 milionë euro kredi nga organizmat europiane, por mbylli aktivitetin më vonë pas problemeve të shitjes në Kosovë.
Por, lojërat e tregut e klima e biznesit duket se janë vetëm një nga faktorët e mbylljes së aktiviteteve. Të tilla vlerësohet të kenë qenë për investimin gjerman ‘Megle’. Një tjetër problem i qëndrueshëm, që nuk është vetëm karakteristikë e tregut të qumështit, është mungesa e “seriozitetit” në investim. Këtu kemi parasysh si investimet e realizuara në kushtet e mungesës së duhur të informimit, edhe investimet e realizuara me objektiv për të siguruar prodhim, qoftë edhe në mënyra abuzive. Të gjithë jemi në dijeni të fermave të vogla dhe përpunuesit janë të gatshëm të ankohen gjithnjë kur flitet për sigurimin e lëndës së parë. Por një pengesë kaq e madhe nuk i ka frenuar investimet miliona dollarëshe në përpunim. Ka nga ata specialistë të fushës që thonë se disa prej stabilimenteve janë ngritur me objektivin për të prodhuar qumësht me miellin e qumështit të importuar. Kjo e fundit, sipas tyre, shpjegon investimet e mëdha, ndërsa një fermë mesatare prodhon dhjetëra litra qumësht në ditë. E sipas tyre, po ky plan shpjegon edhe hyrje-daljet lehtësisht në këtë treg. Duhet theksuar se ka ende investitorë të interesuar për përpunimin e qumështit. Është edhe varianti tjetër i importit të qumështit të papërpunuar me kamionët e posaçëm për t’u përpunuar në vend, por që pavarësisht kushteve të favorshme në dukje, nuk është në fakt zgjidhja ku duhet të bazohet industria.
Kosto e lartë e lëndës së parë
Kostot e lëndës së parë (qumështit të freskët) në vend vijojnë të jenë më të larta se rajoni. Përpunuesit thonë se, në bazë të kostos së lëndës së parë, industritë janë më të favorizuara ta blejnë qumështin jashtë (kryesisht në Bullgari e Maqedoni). Kostoja e një litri qumësht në fermat tona është rreth 42 lekë, ndërsa ajo e importit është 35-37 lekë (duke përfshirë edhe koston e transportit).
Pjesa më e madhe e përpunueseve e pranojnë se qëllimi i tyre parësor është të punojnë me lëndë të parë të prodhuar në vend, por nuk mohojnë rastet kur janë “detyruar” të importojnë lëndë të parë nga vendet fqinje. Ky është një proces i filluar prej vitesh. Pesë vite më parë përpunuesit e “Ferlat” kishin në plan të importonin qumësht nga Maqedonia, meqë prodhimi vendas ishte shumë i kufizuar. Pjesa më madhe e qumështit të importuar (gati 60%) erdhi nga vetëm tre tregje: Maqedoni, Bullgari e Rumani.
Por, tregtarët e pranojnë se pavarësisht kostove më të ulëta, importi i qumështit të freskët është problematik. Edhe nëse ai ruhet në kushte të mira, sërish humbet cilësitë e vlerat ushqimore fillestare.
Hendeku vetëm sa është ngushtuar
Në lagjet e Tiranës së Re, çdo mëngjes vijnë disa gra nga fshatrat me bidonë 1.5 litërsh të mbushur me qumësht. Çdo lagje e kryeqytetit ka “furnitorët” që vijnë nga fshatrat përreth e kanë krijuar tregun e tyre të qëndrueshëm të furnizimit. Ndodh pikërisht në mëngjes, e në zonën pranë Kopshtit Botanik, nuk mungojnë rastet kur furgonët e shpërndarjes së qumështit dhe prodhimeve të tjera të bulmetit, shkëmbehen me kuaj e gomarë të ngarkuar me bidonë qumështi. Ndonëse tregtimi i qumështit të freskët në bidonë të papërshtatshëm nuk është higjienikisht i pranueshëm, ai vazhdon të sfidojë tregjet dhe institucionet që nuk e luftuan seriozisht asnjëherë këtë fenomen.
Një anketim i pesë viteve më parë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, qumështi i freskët i papasterizuar kryeson në konsum. Rreth 31% e të anketuarve konsumojnë nga ky produkt. Vlerësimet e fundit të universitetit (të vitit të kaluar) flasin për një ulje në rreth 20% të të anketuarve që vijojnë të konsumojnë qumësht të papasterizuar.
Në fakt, një vend blegtoral si Shqipëria, duhej të furnizohej shumë më mirë në supermarketet vendase për gamën dhe sasinë e prodhimeve të bulmetit “made in Albania”. Por, zinxhiri i furnizimit fermë-industri mbetet i dobët, për shkak të arsyeve të sipërpërmendura.
Fermerët kanë bërë përpjekje për të shtuar krerët e në këtë duket se kanë ndihmuar subvencionet e këtyre viteve. Por, pas goditjes së krizës së parë të lëndëve të para në 2008, ende nuk janë rimëkëmbur fermat blegtorale.
Këtu vijon të qëndrojë problemi i cili hedh poshtë miliona euro investime. Për fat të keq, pak ka ndryshuar ndër vite. Specialistët e blegtorisë përsërisin po atë që kanë thënë vite më parë për ‘Monitor’ se “sektori i qumështit është në një situatë kaotike e të paorganizuar dhe për më tepër pa kontrolle të mjaftueshme të prodhimit”. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, rreth 70% e fermave kanë vetëm 1-2 krerë lope, ndërsa çdonjëra prej stabilimenteve të përpunimit kushton të paktën 1 milion euro.
Gjedhi dhe të imëtat që rriten në vend, me qëllim prodhimin e qumështit, nuk janë pak. Aktualisht numërohen rreth 360 mijë lopë. Fondi i nevojshëm për prodhimin e lëndës së parë ka ardhur në rritje të vazhdueshme. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në pesë vitet e fundit, numri i lopëve është rritur 9%. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se fermat e vogla bujqësore kanë sjellë ferma po të vogla blegtorale (1.5 krerë gjedh).
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.